1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170310 Israel USA

17 Mars 2010

Pas kritikave të ashpra të SHBA-së ndaj Izraelit , ministrja e Jashtme amerikane Clinton flet me tone më të buta. Për shkak të konfliktit të fundit i ngarkuari amerikan Mitchell e shtyu vizitën e planifikuar.

https://p.dw.com/p/MUw6
Ndërtimi i kolonive hebreje në Jeruzalem
Ndërtimi i kolonive hebreje në JeruzalemFotografi: AP

Netanjahu fajësoi autoritetet palestineze se vështirësojnë rifillimin e bisedimeve

Kryeministri Benjamin Netanjahu e përshëndeti deklaratën e ministres së Jashtme, Hillary Clinton, për të cilën marrëdhëniet amerikano- izraelite janë të pashueshme, pavarësisht nga kriza aktuale. Zyra e Netanjahut në Jeruzalem bëri të ditur se ky u gëzua për për "fjalët e ngrohta" të Klintonit. Kryeministri theksoi se qeveria e tij e ka dëshmuar 12 muajt e fundit me fjalë dhe me vepra se kërkon paqen. Netanjahu fajësoi njëkohësisht autoritetet palestineze se vështirësojnë rifillimin e bisedimeve duke vënë "kushte të pashembullta" dhe duke nxitur një fushatë mbarëbotërore kundër Izraelit. Siç njoftoi sot e përditshmja „Ha'aretz“ Netanjahu është duke përgatitur përgjigjen e tij për kërkesat e qeverisë e amerikane për të rishikuar edhe një herë projektin e diskutueshëm të ndërtimit të ngulimeve në pjesën lindore arabe të Jeruzalemit dhe për të bërë gjeste afruese kundrejt presidentit të palestinezëve Abbas. Kryeministri nuk do të ndryshojë në një çështje, thotë Dore Gold, ish ambasador izraelit në Kombet e Bashkuara dhe këshilltar i ngushtë i Netanjahut. Sjelljen e Izraelit kundrejt qeverisë amerikane Gold e përshkruan kështu:

„Është shumë e rëndësishmë të kesh parasysh cilat janë interesat kardinale të shtetit. Në mënyrë që të mos lindë përshtypja se Izraeli mund të vendoset me shpatulla për muri. Me të duhet biseduar, duhet folur për bisedimet me fqinjin tonë dhe kjo iniciativë duhet nxitur, megjithatë interesat jetësore të shtetit duhet të kihen parasysh, dhe njëra prej tyre është Jeruzalemi."

E ngarkuara për politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton do të takohet sot pasdite në kuadër të vizitës së saj në Lindjen e Afërme me ministrin e Jashtëm izraelit, Lieberman si dhe me presidentin palestinez, Mahmud Abbas. Ashton ka ushtruar tashmë kritika ndaj ndaj projektit për ndërtimin e ngulimeve në Jeruzalemin lindor, po aq të ashpra sa ministrja e Jashtme amerikane Klinton.

"Në të gjithë vendin do të fillojë intifada"

Ndërkohë Jeruzalemi lindor dhe territoret palestineze kaluan një natë të qetë, pas përleshjeve të dhunshme të muajit të kaluar, shkruan gazeta „Yedioth Achronoth“ e cila citon rrethet ushtarake. Në radion izraelite, banorët e Jeruzalemit lindor thonë të kundërtën:

„Po ju them se këtu në Jeruzalem të gjithë kërkojnë Intifadën. Këtu ka vetëm probleme, s`ka punë, s`ka asgjë. Po na zihet fryma këtu. Unë po ju them, se në gjithë vendin do të fillojë intifada. Ata do të bëjnë kryengritje!“

Gjatë trazirave të djeshme u plagosën disa palesinezë dhe rreth 15 police izraelitë. Forcat e sigurisë do të qëndrojnë deri të premten në gjendje gatishmërie të lartë.

Autor: Clemens Verrenkote/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi