1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letonia anëtarja e 18-të e eurozonës

Eliana Xhani (dpa, rtr)6 Qershor 2013

Letonia është në rrugën drejt bashkimit monetar. Shteti i vogël balltik i përmbush të gjitha kërkesat e BE-së. ECB përshëndeti anëtarësimin e planifikuar për 1 janar 2014, por paralajmëroi për rreziqet.

https://p.dw.com/p/18kIM
Fotografi: Fotolia/selensergen

Mbrojtësit e parasë në Evropë, megjithë disa rezerva, e shohin Letoninë gati për futjen e euros në 1 janar 2014. Shteti i vogël balltik me rreth 2 milionë qytetarë, përmbush të gjitha kriteret e Mastrihtit, shkruan Banka Qendrore Evropiane (ECB) në raportin e saj të konvergjencës të publikuar në Frankfurt. Nëse vendi fut euron vitin e ardhshëm, ai do të jetë anëtari i 18-të i bashkimit monetar evropian.

Nga qarqe të ECB-së mësohet se mbrojtësit e parasë në BE e shohin përgjithësisht pozitivisht anëtarësimin e Letonisë në unionin monetar. Qeveria në Riga ka dëshmuar gjatë krizave fleksibilitet dhe vullnet të madh për reforma. Megjithatë ka disa shqetësime si p.sh. presioni inflacionist, tërheq vëmendjen ECB. Meqenëse niveli i çmimeve dhe të ardhurat për frymë në Letoni janë më të ulëta se në eurozonë, në periudhë afatmesme pritet një rritje më e fortë çmimesh se në hapësirën e monedhës së përbashkët në përgjithësi.

Respektim i të gjitha kritereve

Nga 1 janari 2014 letonezët mund të përdorin euron si monedhë kombëtare
Nga 1 janari 2014 letonezët mund të përdorin euron si monedhë kombëtareFotografi: ILMARS ZNOTINS/AFP/Getty Images

Gjatë 12 muajve të fundit inflacioni ka qenë megjithatë me 1,3 për qind shumë i ulët dhe dukshëm nën nivelin e referencës prej 2,7 për qind. Edhe kriteret e tjera të Mastrihtit si deficiti buxhetor dhe borxhi shtetëror janë respektuar deri tani nga Letonia. Në vitin 2012 borxhi shtetëror ishte 40,7 për qind i Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), i lejueshëm është një borxh prej 60 për qind. Deficiti ishte 1,2 për qind i PBB-së, nga 3 për qind që parashikojnë rregullat e stabilitetit të euros.

Megjithatë ECB i bëri thirrje Rigës të vazhdojë konsolidimin e buxhetit. Veç kësaj vendi duhet të reformojë tregun e punës, në të cilin në disa sektorë mbizotëron papunësi e lartë dhe në disa të tjerë ka mungesë fuqie punëtore. Edhe ekonomia informale vazhdon të ketë përmasa të mëdha. Ngjashëm me Qipron, mbrojtësit e monedhës së përbashkët shohin edhe "një rrezik, që duhet marrë seriozisht" për stabilitetin financiar: bankat letoneze janë shumë të varura nga të huajt për rifinancimin, para së gjithash nga Rusia.