1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largohet nga Kosova punonjësi i lënduar i OKB

Aida Cama
31 Maj 2019

Punonjësi i lënduar i OKB dërgohet në një vend të specializuar për tu trajtuar. OKB bën thirrje të ruhet dinjiteti i gjithsecilit për të jetuar në siguri dhe paqe në Kosovë.

https://p.dw.com/p/3JWPd
Vizesprecher der Vereinten Nationen Farhan Haq
Fotografi: picture-alliance/C. Ozdel

Dy anëtarët e stafit të UNMIK-ut në Kosovë, përfshirë në incident njëri prej të cilit është i nacionaliteti rus dhe tjetri nga Kosova, kanë marrë lëndime dhe janë trajtuar në spital, bëri të ditur zëvendëszëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Fahran Haq.

I pyetur nga gazetarët në konferencën e përditshme të shtypit në selinë e OKB, në Nju Jork, Haq sqaroi se detajet lidhur me incidentin janë ende nën hetim. "Në këtë fazë, bazuar në të dhënat e një vlerësimit të plotë bërë nga ekspertë të mjekësisë në spitalin e Mitrovicës Veriore dhe ekipi mjekësor i UNMIK-ut, është e domosdoshme që punonjësi ndërkombëtar i stafit të OKB të dërgohet në një vend ku mund të ofrohet trajtim special për lëndimet që ka marrë”. Bëhet fjalë për punonjësin e OKB me nacionalitet rus.

Haq përsëriti kërkesën e të dërguarit special, Zahir Tanin, që Kosova të respektojë imunitetin e të gjithë stafit të OKB dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin dhe dinjitetin e të gjithëve për të jetuar të lirë dhe në siguri e paqe.

Anëtarët e stafit të UN, u lënduan gjatë një aksioni të policisë së Kosovës për arrestimin në veri të vendit, të disa personave që dyshohen për kontrabandë dhe krime të tjera.

Misioni i OKB në Kosovë ka filluar punën në vitin 1999 me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për të administruar Kosovën që banorët e saj të gëzojnë autonomi. Me marrjen e pavarësisë së Kosovës, detyra e misionit ndryshoi në ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe të drejtave të njeriut. Aktualisht misioni ka në Kosovë një ekip të përbërë nga 351 vetë, pjesa më e madhe civilë. Mes 10 policëve pjesëmarrës në mision, tre janë nga Federata Ruse.