1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largimi i trurit nga Gjermania

24 Tetor 2006

Një temë mjaft e komentuar në shtypin gjerman të ditës është largimi i trurit, emigrimi i kuadrove të larta nga Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArnK
Vendit i ikën truri?
Vendit i ikën truri?Fotografi: AP

Një citat nga komenti i gazetës bulevardeske të Këlnit "Express": "Shifrat janë alarmuese: rreth 145.000 gjermanë i kanë kthyer shpinën atdheut vitin e fundit. Shumica e rasteve me siguri që nuk e kanë bërë këtë, sepse diku tjetër shkëlqen dieli. Pjesa më e madhe nuk sheh më perspektivë në Gjermani. Mungesa e vendeve të punës, mungesa e kopshteve dhe kujdestarisë për fëmijët si dhe indinjata me rregullat, që ndonjërit i vijnë në majë të hundës, të gjitha këto janë argumenta që e lehtësojnë lamtumirën.

E çfarë s´na kanë premtuar politikanët këto vitet e fundit. Eshtë folur shumë për liri të reja dhe një frymë entuziazmi. Por ende pa u thënë mirë euforia është kthyer në kthjelltësi. Sepse idetë e mira në Gjermani shpesh herë stërhollohen derisa sa arrijnë në pikën që s´u mbetet më as nam e as nishan duke u bluar në makinën grirëse të partive politike. Në këtë mënyrë s´mund të krijohet besimi për një të ardhme më të mirë në Gjermani", vëren "Express".

Për komentatorin e gazetës së Maincit "Allgemeine Zeitung": "Ka shumë, jashtëzakonisht shumë ndër emigrantët modernë! - të rinj që me një kualifikim të lartë profesional largohen nga vendi, bashkësia solidare e të cilit u ka mundësuar atyre shkollimin. Kjo është arësye që jusitifkon edhe pretendim për kompensim. Por, me disa pak përjashtime, për një veprim të tillë s´mund të ankohesh ndaj kjo mbetet vetëm një dëshirë e mirë. Ai që do të shkojë në Alaskë si druvar, le të shkojë. Por dikush që pas 13 vjet shkolle dhe pas 12 semestrave universitet shkon në të njëjtin drejtim për tek Boingu në Siatëll, nuk e ka të lehtë këtu në vend, ndaj merr një vendim të tillë duke mos pasur asnjë favor apo joshje që të qëndrojë", tërheq vëmendjen "Allgemeine Zeitung".

Ndërsa "Leipziger Volkszeitung" duke marrë shkas edhe nga protesta e sindikatave në fundjavë kritikon si politikën edhe sindikatat për mungesën e koncepteve për thithjen trurit në vend: "Përveç koncertit të bilbilave të protestës s´ka pasur asgjë tjetër: Sindiktatat janë të pafuqishme përballë shkurtimeve të ndërmarrjeve të futura në rrjetin global dhe politikës që qeveris me shumicën e majme të koalicionit të gjerë. Qytetarëve nuk u intereson aq shumë fakti që ndërmarrjet kërkojnë zona më të leverdishme ekonomike, sepse ato kanë mall për përmirësimin e gjendjes në vend. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë qytetari largohet sipas mundësive. Shefi i zejtarëve Braun ndonëse s´ka koncept për t´i bërë ballë largimit të forcave të kualifikuara, ai shtron kërkesat për një treg pune më fleksibël. Por përse duhet që ekonomia ta kapërcejë gjendjen pak të dobishme të hedhjes së fajit, kur politika dhe sindikatat janë vetë strumbullari?", këtë pyetje shtron komentatori i "Leipziger Volkszeitung".

Mbi këtë komenton edhe gazeta e Bajrojtit "Nordbayerischer Kurier": "Të rinjve futja në profesion u bëhet mjaft e vështirë. Brezi i praktikantëve e njeh shumë mirë këtë këngë vaji. Pagesë e keqe për punë të mirë, ky është rregulli që ngjall zhgënjim e madje të dekurajon. Ndërkohë që shkurtimet në masë shkatërrojnë perspektivat pozitive. Ndaj funksionari i ekonomisë Braun duhet që ta detyrojë klientelën e vet, për të mundësuar mbajtjen e brezave të rinj të talentuar në vend. Ai që do t´i afrojë njerëzit, duhet që të mendojë edhe për një botë joshëse të punës", vëren "Norbayerischer Kurier".

Së fundi edhe një citat nga komenti i së përditshmes së Mynsterit "Westfälische Nachrichten": "Që në epokën e globalizimit njerëzit duan të punojnë jashtë vendit, kjo është normale. Problemi është: se në këtë valë duhet që edhe në Gjermani të vijnë si kompensim kuadro të kualifikuara me arsim të lartë. Por ata nuk vijnë vetë. Socialdemokratët dhe unioni konservator i kristiandemokratëve gjatë reformës së migracionit kanë neglizhuar të thjeshtojnë kushtet për njerëzit e specializuar. Pengesat janë mjaft të mëdha", shkruan "Westfälische Nachrichten".