Lajçak takon ekipet e Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel
6 Korrik 2021I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takon të martën e të mërkurën (06-07.07) në Bruksel përfaqësuesit e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, si parapërgatitje për takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në fund të korrikut. Lajçak takoi nga pala kosovare të martën zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ndërkohë nesër nga pala serbe ai pritet të takojë drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Mirosllav Lajçak, tha se çdo bisedë në Bruksel është politike dhe ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. "E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s'është teknike”, shkroi Lajçak në Twitter. Nga qeveritë e kaluara bisedimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi janë zhvilluar në dy nivele, në nivel teknik që kanë diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga niveli politik ndërmjet kryeministrave ose presidentëve.
Palmer: Marrëveshja është obligim
Pala serbe vazhdimisht po insiston që në takimet e Brukselit të bisedohet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por, kjo po hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga pala kosovare, duke e cilësuar atë marrëveshje si antikushtetuese. Një ditë më parë zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer u shpreh qartë mbi Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai e cilësoi atë obligim, të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë. "Ekzistojnë mekanizma, përmes të cilave Kosova mund të zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”.
Edhe Bashkimi Evropian, sipas zëdhënësit Peter Stano, tha se "Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë me propozimin, se si të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, pasi me një vendim të kuvendit, ajo e ka marrë përsipër këtë obligim ndërkombëtar”. Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.