Lagështia faktor kyç për minimizimin e COVID-19
21 Gusht 2020Lagështia relative duket se "ndikon fuqishëm" në përhapjen e viruseve në mjediset e mbyllura, sidomos kur ajri është i thatë. Ky është përfundimi i një ekipi hulumtues indiano-gjerman. "Lagështia duket se luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për përhapjen përmes ajërit të COVID-19 në mjediset e brendshme", tuhet në raport, i cili bazohet gjithashtu në gjetjet e nga testet e kaluara me viruse të ngjashme, H1NI për gripin dhe MERS-CoV.
Prandaj në mjediset e ndërtesave publike duhet të ketë të paktën 40% deri 60% lagështi, për të zvogëluar rreziqet e përhapjes së viruseve, thanë analistët e Laboratorit Fizik Kombëtar të Indisë CSIR të udhëhequr nga Sumit Kumar Mishra dhe ata të Institutit Leibniz të Gjermanisë për Kërkime Troposferike (TROPOS) nën drejtimin e Alfred Wiedensohler dhe Ajit Ahlawat.
Ruajtja e lagështisë relative të dhomave apo zyrave në vlerat 40% dhe 60% si dhe hapja e dritareve mund ta zvogëlojë thithjen e pjesëzave të infektuara prej virusit.
Hemisferën e veriut e pret rreziku
Ardhja e dimrit në hemisferën veriore nënkupton rreziqe më të larta për "miliona njerëz", paralajmëroi Wiedensohler, sepse ata do të qëndrojnë në mjedise të mbyllura dhe thithin ajër që vjen jashtë duke kaluar përmes kondicionerëve.
Ngrohja e ajrit në një temperaturë të pranueshme do ta "ulë ndjeshëm lagështinë relative të mjediseve të shtëpive, zyrave apo dyqaneve, dhe kjo do të krijojë një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme për banorët apo punonjësit, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19", thuhet në studim.
Por sipas studimit edhe ftohja ekstreme e mjediseve të brendëshme me kondicioner gjatë verës shkakton tharjen e ajrit dhe gjithashtu "ndihmon jetëgjatësinë e viruseve COVID".
Standard minimum për lagështinë relative në mjedise të mbyllura
Si përfundim ekipi i studiuesve thotë që mbikëqyrësit e ndërtesave dhe qeveritë duhet të azhurnojnë standardet dhe duhet të përfshijnë faktorin e lagështisë në rregullat e ardhshme për mjediset e mbyllura.
"Bazuar në gjetjet e studimit për të ardhmen është e domosdoshme të vendoset një standard minimum për lagështinë relative në ndërtesat publike" thuhet në raport, sepse kjo "jo vetëm që do të zvogëlojë ndikimin e COVID-19, por gjithashtu do të zvogëlojë edhe ndikimin e shpërthimeve të mëtejshme të epidemive virale".
Për momentin, përveç mbajtjes së maskave, shkencëtarët udhëzojnë që të respektohet distanca sociale dhe që në mjedise të mbyllura të ketë në varësi të madhësisë sa më pak njerëz që të jetë e mundur ".