1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Sigurimit të OKB-së me qëndrime të ndara për Kosovën

Bahri Cani 22 Prill 2008

Këshilli i Sigurimit i OKB-së debatoi raportin e fundit për Kosovën, të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun dhe shefit të Unmikut Joachim Rücker. Sërish paraqiten qëndrime të kundërta.

https://p.dw.com/p/Dm9p
Salla e Këshillit të Sigurimit të OKB-sëFotografi: AP

Pala serbe kërkon vazhdimin e misionit të Unmikut, Unmiku deklaroi se me 15 qershor do të ndryshojë misioni i tij, ndërsa kosovarët kërkojnë njohjen e pavarësisë.

Në seancën e mbyllur për opinion, pala serbe kërkoi vazhdimin e mandatit të Unmikut në bazë të Rezolutës 1244. Presidenti serb, Boris Tadiq, u shpreh kundër bartjes së kompetencave nga Unmiku në ndonjë mision tjetër, pa vendimin e KS të OKB. "Serbia nuk pranon rrethanat e reja të krijuara pas shpalljes së pavarësisë së njëanshme dhe kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës", deklaroi Tadiq duke shtuar se "ne jemi duke mbrojtur të drejtën ndërkombëtare. Pas aktit ilegal të shpalljes së pavarësisë nga institucionet e përkohshme kosovare kemi shumë probleme, sepse shumë lëvizje seperatise në botë, duan të ndjekin të njëjtën rrugë." Tadiq tha se Serbia e trajton Kosovën pjesë të pandashme të saj. Prandaj edhe kërkon që në Kosovë të mbahen zgjedhjet lokale me 11 maj.

Me kërkesën e tij në seancë morri pjesë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci i cili theksoi gatishmërinë e isntitucioneve për zbatimin e plotë të planit të Marti Ahtisarit.

"Ne po ndërtojmë institucione demokratike dhe multietnike, po ndërtojmë një vend multietnik. Ne i respektojmë të gjitë qytetarët dhe minoritetet, në vecanti atë serbe", theksoi kryeministri i Kosovës. Thaci u shpreh i bindur se Beogradi duhet t'i rishqyrëtojë raportet me Prishtinën dhe duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse ndryshe nuk mund të anëtarësohet në Nato apo BE.

Sa i përket zgjedhjeve serbe me 11 maj, kryeministri tha se institucionet e Kosovës e respektojnë të drejtën e dyshtetësissë, që do të thotë se zgjedhjet parlamentare mund të zhvillohen, ndërsa ato lokale janë jolegale. Thaci shpreson se serbët së shpejti do t'i kthehen në tërësi jetës demokratike në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Kundër zgjedhjeve lokale në Kosovë u shpreh edhe shefi i Unmikut Joachim Rücker, me shpjegimin se ato do të ndikonin negativisht në raportet mes bashkësive etnike. Ai shpjegoi se Unmiku do të vazhdojë misionin e vet, në bazë të rezolutës 1244, por theksoi se në Kosovë kanë ndryshuar rrethanat, që prej vendosjes së administratës ndërkombëtare në vitin 1999. Prandaj edhe Unmiku duhet të ndryshojë misionin e tij, pasi që Kosova ka shpallur pavarësinë, ndërsa me 15 qershor në fuqi do të futet edhe kushtetuta e re e Kosovës.

Të njëjtat qëndrime shprehen edhe ambasadori amerikan Zalmaj Halilzad dhe ai britanik Xhon Soers. Pas seancës ata deklaruan se OKB dhe Rezoluta 1244 edhe më tej në Kosovë kanë një rëndësi të vecantë, por roli i Unmikut do të ndryshojë me kalimin e kompetencave në duart e institucioneve të Kosovës, që duhet të përfundojë deri me 15 qershor. Ata i bënë thirrje Serbisë që të rrespektojë Unmikun dhe të heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë. Rusia edhe më tej kundërshton pavarësinë e Kosovës, por ambasadorët theksuan si pozitive gatishmërinë e Serbisë për zgjidhjen e problemeve me mjete paqësore dhe dialog.