Këshilli i Sigurimit po debaton për Kosovën
22 Shtator 2006Seanca në Nju Jork po zhvillohet me dyer të mbyllura, por bëhet e ditur se ndërmjetësuesi, Marti Ahtisari do të kërkojë prej Këshillit të Sigurimit mbështetjen ndaj planeve të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës deri në fund të këtij viti.
Në seancën e cila ka filluar në orën 16.00 ish - presidenti i Finlandës do të paraqesë raportin e tij për ecurinë e bisedimeve për çështjet teknike në Vjenë: decentralizimin, trashëgiminë kulturore, të drejtat e komuniteteve dhe gjendjen ekonomike. Ndihmësi i tij Alert Rohan ka deklaruar pas takimit të fundit, se bisedimet janë futur në qorrsokak. Prandaj pritet që Ahtisari deri në muajin tetor të hartojë draftin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Grupi i Kontaktit ka kumtuar para dy ditësh se duhet angazhuar me të gjitha mjetet që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në fund të vitit. Me këtë formulim është pajtuar edhe Rusia, e cila ka kërkuar që të mos caktohet afate strikte për zgjidhjen e statusit.
Në seancën e KS të OKB janë prezent edhe presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Fatmir Sejdiu dhe Boris Tadiq. Ata do të përpiqen të bindin anëtaret e organit më të lartë vendimmarrës që të mbështesin pozicionet e tyre pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Fatmir Sejdiu angazhohet që statusi të zgjidhet deri në fund të vitit dhe që ky status të jetë pavarësia pa kushte e Kosovës. Sejdiu tha se anëtarët e Këshillit të Sigurimit do t'i njoftojë edhe me gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe qëndrimet ndaj procesit të negociatave në Vjenë.
Në anën tjetër, presidenti serb Boris Tadiq thotë se zgjidhja më e mirë për statusin do të ishte kthimi i Kosovës nën sovranitetin e Serbisë dhe dhënja e një autonomie të gjërë.
Takimi i Grupit të Kontaktit dhe pritjet nga raportimi i sotëm i Ahtisarit po përcillen me interesim të madh jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe në rajon. Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu ka deklaruar se pavarësia është zgjidhja e cila stabilizon jo vetëm Kosovën, por edhe tërë rajonin e Evropës Juglindore. Mojsiu është i mendimit se Kosova nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e krizave të tjera në botë. Të njëjtat qëndrime shpreh edhe drejtori i Grupit ndërkombëtar të krizave, Nikolas Vajt, i cili pohon se Kosova është një rast specifik.
Ministri i jashtëm Besnik Mustafaj i ka thënë homologut të tij serb Vuk Drashkoviq se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale të bashkimit me Kosovën. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski mbështetë çdo zgjidhje, të cilët e miraton bashkësia ndërkombëtare.
Ndërsa presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku pohon se ka nevojë për më shumë kohë deri në hartimin e një plani paqësor. Nëse Kosova do të trajtohet si rast specifik apo model edhe për krizat tjera, është një çështje që zgjon interesin e shumë vendeve që kanë probleme me grupet e ndryshme etnike dhe tendencat për shkëputje. E tillë është edhe kërkesa e Transistrisë në Rumani.
"Kjo është një pyetje me vend. Unë isha ndër të parët që ka pohuar, se zgjidhja e çështjes së Kosovës paraqet një kthesë në mbarë politikën ndërkombëtare. Evropa dhe ShBA gjenden në prag të hapjes së kutisë së pandorës, prej nga mund të dalin befasi shumë të pakëndëshme për Evropën dhe perëndimin", pohon Anneli Ute Gabanyi, nga Instituti gjerman për Shkencë dhe Politikë.
Ndërsa zëvendësministri i Greqisë, Evripidis Stylianidis gjatë një vizite në Dojçe Vele u shpreh se: "Për çështjen e Kosovës duhet gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Kjo zgjidhje duhet të arrihet përmes dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Zgjidhja duhet të jetë bazë për respektimin e vlerave evropiane dhe hapjen e rrugës drejt Evropës."
Çështja e Kosovës është trajtuar këto ditë edhe në Komitetin e Këshillit të Evropës, i cili sugjeron një pavarësi me kushte. Ndërsa burimet ruse thonë se Kosova do të trajtohet edhe në takimin e kancelares gjermane Angela Merkel me presidentin e Francës Zhak Shirak dhe atë rus Vlladimir Putin, i cili zhvillohet të shtunën në Paris.