1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Sigurimit konsultohet për projektrezolutën e Libanit

DW6 Gusht 2006

Këshilli i Sigurimit zhvilloi konsultimet e para për projektrezolutën, e cila u përpilua pas sheshimit të mosmarrëveshjeve mes SHBA-ve dhe Francës. Në projektrezolutë kërkohet dhënia fund e luftimeve

https://p.dw.com/p/AqcA
Pamje nga salla e KS-it
Pamje nga salla e KS-itFotografi: AP

Instanca më e lartë e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit zhvilloi konsultimet e para për projektrezolutën, e cila u përpilua pas sheshimit të mosmarrëveshjeve mes SHBA-ve dhe Francës. Në projektrezolutë kërkohet dhënia fund e luftimeve, ndërsa kushtet për krijimin e një armëpushimi afatgjatë dhe stacionimin e trupave ndërkombëtare të mbrojtjes, pritet të sqarohen më vonë.

Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Zhan Mark de la Sabliere u tregua optimist se të hënën ose të martën mund të bëhet miratimi i rezolutës:"Ne e dimë, dhe të gjithë ju e shohim në televizion se çfarë po ndodh në Liban dhe disa qytete në pjesën veriore të Izraelit, kështu që ne duhet të veprojmë me përgjegjësi dhe shpejt"
tha ambasadori francez, Zhan Mark de la Sabliere.

Ndërsa ambasadori amerikan, Xhon Bolton u shpreh në këtë kontekst se:"Çështja që në kemi përsëritur është se pushimi i zjarrit, ndalimi i armiqësive duhet të ndodhë në kontekstin e një transformimi themelor të kësaj çështjeje në rajon. Përndryshe ne rrezikojmë thjesht një ripërsëritje, siç e kemi pasur panumërim më parë, dhe pa e zgjidhur kështu problemin", tha Xhon Bolton.

Por qeveria libaneze kërkoi ndryshime në këtë projektrezolutë. Ajo kritikon, para së gjithash, që Izraelit në tekstin e rezolutës nuk i bëhet thirrje për tërheqje të menjëhershme nga Libani i Jugut.


Ndërkohë vazhdon lufta në Liban. Aviacioni izraelit ka vazhduar të shkatërrojë ura dhe rrugë në Liban, bëhet e ditur nga kryeqyteti libanez. Në qendër të sulmeve kanë qenë objektiva në luginën e Bekaa-s lindore dhe në afërsi të qytetit verior, Tripoli. Në shkëmbimet e zjarrit mes milicëve të hizbollahut në jugun e Libanit u vra një ushtar izraelit si edhe u plagosën 20 të tjerë. Hizbollahët hodhën raketa dhe ditën e djeshme në veriun izraelit, si pasojë u vranë tre izraelite me origjinë arabe.