Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi njëzëri sanksione kundër regjimit të Phenianit
16 Tetor 2006Në vështrim të parë, lista e masave ndëshkimore të duket impresionuese: tregtia e llojeve të caktuara të armëve i ndalohet Koresë së Veriut, me sa duket edhe importi i mallrave luksozë. Mallrat koreaonoveriorë që qarkullojnë në transportin ajror dhe detar inspektohen, eksporti për në Japoni ndërpritet, njësoj si qarkullimi i anijeve. Me këtë, udhëheqja e Koresë së Veriut me sa duket paguan për testin atomik një çmim të lartë: ajo humbet burime të rëndësishme devizash, diplomatët dhe funksionarët e saj nuk do të mund të lëvizin më lirisht.
Edhe politikisht, Pheniani pësoi një disfatë të rëndë. Edhe aleatët e tij, Kina dhe Rusia ranë dakord me ndëshkimin, shteti vëlla Koreja e Jugut i bllokoi ndihmat për Veriun. Megjithatë, shumë vëzhgues të gjendjes në Korenë e Veriut mendojnë se për udhëheqjen përreth Kim Jong Ir-it, vërtet që e gjitha kjo është nervozuese dhe bezdisëse, por regjimi i kishte llogaritur reagime të tilla. Eksperti japonez Yasuhiko Yoshida i Universitetit të Osakës:
"Udhëheqja rreth Kim Jong Ir-it e kishte llogaritur se nuk do të kishte ndërhyrje me dhunë ushtarake si reagim ndaj testit. Sanksionet ekonomike nga ana tjetër, udhëheqja e Koresë së Veriut nuk i ka problem, ajo është e vendosur t'i sfidojë ato. Mbi këtë bazë u mor vendimi për testin atomik."
Bashkësia ndërkombëtare vërtet kishte edhe opsionin për të vendosur sanksione më të ashpra, të cilat do të preknin popullatën, si për shembull me synimin që njerëzit që lëngojnë të ngrihen kundër Kimit. Por ekspertët e konsiderojnë këtë një shpresë jorealiste, sepse propaganda i ka mësuar njerëzit që prej 50 vjetësh se lufta tjetër me SHBA është në pragun e derës.
Pavarësisht nga vendimet e Nju Jorkut, sanksionet më efektive kundër elitës së Koresë së Veriut sidoqoftë duket se janë në fuqi. Një vit më parë, organet amerikane të kontrollit financiar arritën mbylljen e 40 xhirollogarive të Koresë së Veriut në një bankë në Macao të Kinës, 24 millionë dollarë u bllokuan. Pas kësaj, u tha se 20 banka ndërprenë transaksionet pa para në dorë me Korenë e Veriut. Kjo mendohet se i pengon bizneset e firmave tregtare, të cilat duhet të jenë pronësi e gjeneralëve të lartë, kuadrove partiakë dhe të afërmve të familjes Kim, e pengon sigurimin e devizave edhe nga vetë diktatori. Njohësi i Koresë, Yasuhiko Yoshida:
"Biznesmenë në Phenian, por edhe japonezë me origjinë koreane në Japoni u ankuan tek unë se nuk mund të bëjnë më biznes me botën e jashtme, sepse të gjitha bankat ndeshen me presionin amerikan për të bllokuar të gjitha xhirollogaritë e Koresë së Veriut."
Prej fundit të vitit të kaluar, udhëheqja e Phenianit kërkon nga ky shkak dhënien fund të sanksioneve financiare si dhe bisedime të drejtpërdrejta me SHBA. Për t'i arritur këto synime të rëndësishme për të mbijetuar, diktatori Kim Jong Il do të kërcënojë dhe provokojë edhe më tej. Që një ndërmjetësues koreanoverior javën e fundit nuk i përjashtoi negociatat e reja kundër Rusisë, është pjesë e kësaj taktike.