1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Sigurimit dënon testin e Koresë së Veriut

PP (dpa, rtr, afp, APE)8 Shkurt 2016

Reagim i ashpër i Këshillit të Sigurimit pas testit koreanoverior: Koreja e Veriut ka shkelur disa rezoluta. Këshilli i Sigurimit do të ashpërsojë sanksionet ekzistuese kundër këtij vendi.

https://p.dw.com/p/1HrFd
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Gombert

Organizata e Kombeve të Bashkuara konsideron të shkelura prej testit të fundit të raketave një sërë rezolutash të OKB-së, që i ndalojnë Koresë së Veriut lëshimin e raketave balistike dhe testet bërthamore. Testi ishte një shkelje e rëndë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, tha Presidenti aktual i tij, Rafael Ramirez Dario Carreno. Koreja e Veriut përbën një kërcënim serioz për paqen ndërkombëtare. Organi më i lartë i OKB-së njoftoi se së shpejti do të miratojë një rezolutë të re të OKB-së për Korenë e Veriut, dhe do të ashpërsojë përmes saj sanksionet ekzistuese kundër këtij vendi. Këshilli i Sigurimit e dënoi testin e raketave me rreze të gjatë të Koresë së Veriut në mënyrë unanime. Deklarata e miratuar në Nju-Jork është mbështetur edhe nga Republika Popullore e Kinës, i vetmi aleat me peshë i Phenianit.

Kritika ndërkombëtare

Një sërë shtetesh e e kritikuan lëshimin e maskuar të një rakete ushtarake me rreze të gjatë veprimi. Mediat shtetërore të Koresë së Veriut kishin cituar Agjencinë Kombëtare për Hapësirën Kozmike, se raketa transportuese hodhi në orbitë një satelit vëzhgimi. Por ekziston frika se Koreja e Veriut mund ta përdorë atë për të qëlluar me koka me mbushje bërthamore. Me raketa të tilla Koreja e Veriut do të ishte në gjendje të sulmonte jo vetëm Korenë e Jugut dhe Japoninë, por edhe SHBA-në.

Kryeministri japonez Shinzo Abe e kritikoi ashpër këtë test dhe e quajti atë një shkelje të rezolutave të OKB-së. Japonia nuk ka marrëdhënie diplomatike me Korenë e Veriut.

Nordkorea startet Langstrecke Rakete
Fotografi: picture-alliance/dpa/Maxppp

Edhe Kina, e cila është tradicionalisht aleate e ngushtë e Koresë së Veriut, ushtroi kritikë. Hedhja e raketës do t'i ashpërsojë tensionet në gadishullin korean, u shpreh qeveria kineze. Me tone të ngjashme u shpreh edhe Moska. "Ne jemi të detyruar të konstatojmë se Koreja e Veriut ka shkelur edhe një herë tjetër në mënyrë provokative ligjet ndërkombëtare", u tha në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Moskë.

Koreja e Jugut do të instalojë një sistem për mbrojtje prej raketave

Presidenti i Koresë së Jugut Park Geun-Hye e akuzoi regjimin komunist në Phenian për një provokim të rëndë, që nuk mund të tolerohet. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e dënoi hedhjen e raketë si një kërcënim për sigurinë e rajonit dhe të Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi se SHBA e kanë detyrim mbrojtjen e aleatëve, përfshirë dhe Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Nordkorea Start von Langstreckenrakete
Fotografi: Reuters/Yonhap

Koreja e Jugut njoftoi për shkak të rrezikut prej Koresë së Veriut se do të fillojë bisedime me SHBA-në për stacionimin e sistemit amerikan të mbrojtjes prej raketave Thaad. Kina dhe Rusia janë kundër një stacionimi të tillë.

Shërbimet sekrete të Koresë së Jugut kanë të dhëna se regjimi do të bëjë së shpejti një provë tjetër bërthamore. Ky do të jetë testi i pestë bërthamor citoi agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut deputetë në Seul, të cilët ishin informuar në lidhje me këtë nga shërbimet sekrete.