1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Sigurimit i OKB-së debaton për Kosovën

Sütfeld, Rainer / New York (NDR) 15 Shkurt 2008

Të dielën pritet që Kosova të shpallë pavarësinë, kundër vullnetit të qeverisë serbe. Serbia po përpiqet të përçajë Këshillin e Sigurimit në mënyrë që ky të mos njohë shpalljen e pavarësisë.

https://p.dw.com/p/D7yx
Këshilli i Sigurimit në Nju JorkFotografi: AP
Ishte një takim fantazëm ai që u mbajt me orë të tëra pas dyerve të mbyllura më Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Palët me qëndrime të papajtueshme theksuan edhe njëherë me forcë pozicionet e tyre. Më shumë se të gjithë ministri serb i punëve të jashtme Vuk Jeremiç: "Ne kemi kërkuar mbrojtje në kuadër të parimit numër një të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që garanton të drejta të barabarta për shtetet sovrane. Ne kemi kërkuar mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit tonë territorial si anëtar i Kombeve të Bashkuara."
Nëse Këshilli i Sigurimit lejon ndarjen e dhunshme nga një vend të një province atëherë të hënën do të zgjohemi në një botë të re, ishte profecia e Vuk Jeremiçit. Ai kërcënoi me sanksione kundër Kosovës nëse të djelën ashtu siç pritet Kosova do të shpallë pavarësinë. Por se për çfarë sanksionesh bëhet fjalë Jeremiç nuk pranoi të përgjigjej: "Ky është sekret shtetëror. Për këtë arsye nuk do t'ju them asgjë. Po them vetëm se çdo masë e jona do të respektojë rregullat e lojës së ndershme."
Beogradi u përpoq të fitojë simpati në Nju Jork edhe duke përjashtuar në mënyrë kategorike përdorimin e dhunës: "Serbët nuk do të përdorin asnjë lloj dhune", tha Jeremiç.
Dhe Serbia fitoi pikë konstatoi Vitali Çurkin, përfaqësues i fuqisë mbrojtëse të Serbisë, Rusisë, pas betejës së fundit diplomatike në sallën e Këshillit të Sigurimit të mbushur plot me ambasadorë të Kombeve të Bashkuara: "Ky ishte një votim me këmbë. Ata (shqiptarët) nuk kanë asnjë mbështetje."
Një votim kundër planit të Marti Ahtisarit, kundër shkëputjes së Kosovës dhe kundër planeve evropiane. Edhe brenda vetë Këshillit të Sigurimit, u shpreh Çurkin, egziston një shumicë e qartë kundër planeve të BE-së dhe SHBA-ve. "Asnjë anëtar i Këshillit të Sigurimit përveç atyre nga BE-ja dhe Serbia nuk e mbështet këtë plan veprimi."
Çurkin bëri gjithashtu të qartë edhe arsyet përse shumë shtete shohin me skepticizëm suksesin e pritshëm të Kosovës: "Më kujtohet një ish president i SHBA-ve i cili ka numëruar në fjalimet e tij 800 situata në botë ku grupet e ndryshme etnike mendojnë për pavarësinë e tyre."
Kosova si rast precendent. Një mëkat në fushën e së drejtës ndërkombëtare të cilin mund t'a shfrytëzonte edhe Rusia për njohjen p.sh. të krahinave separatiste në Gjeorgji. Ambasadori i Britanisë së Madhe Sir Xhon Souers (John Sawers) theksoi veçorinë e rastit të Kosovës, prej një kohe të gjatë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Ka ardhur koha që fqinjët, pra Evropa të marrë përsipër përgjegjësinë: "Ne që ndodhemi më pranë Kosovës gjeografikisht duhet të marrim përsipër përgjegjësinë tonë."
Por takimi i ardhshëm emergjent thuajse është vendosur. Rusia nuk pranon të dorëzohet dhe kundërshton një administrim të BE-së dhe misionin e shtetit ligjor të Unionit në Kosovë si zëvendësim të administratës së Kombeve të Bashkuara. "Nuk ka asnjë rrugë për të ndryshuar praninë civile sipas vullnetit të disa anëtarëve të këshillit të Sigurimit apo sipas një deklarate të vetmuar të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së duhet të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit", u shpreh Çurkin.
Kështu secili qëndron në pozicionin e tij. Palët janë në një pikë të vdekur.