1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet një strategji kundër IS në Siri dhe në Irak

Andreas Gorzewsk9 Shtator 2014

"Shteti Islamik" nuk mund të mposhtet vetëm me sulme ajrore në Irak. Sulme kundër terroristëve edhe në Siri do ta ndihmonin regjimin e Assadit. Ekspertët kërkojnë një strategji të diferencuar.

https://p.dw.com/p/1D9Mk
Flughafen von Tabka von ISIS eingenommen
Fotografi: Reuters

Organizata terroriste sunite "Shteti Islamik" (IS, më parë ISIS) e ka konsoliduar sundimin e saj në pjesë të gjerë të Sirisë dhe Irakut. Vërtet që luftëtartët kurdë të Irakut dhe shiitët, në sajë të mbështetjes ajrore nga SHBA e kanë sprapsur IS nga disa vende, por në Siri xhihadistët pushtuan një aeroport të rëndësishëm ushtarak. Një fitore vendimtare kundër njësive të IS duket e largët. Për këtë deri tani mungon një strategji e qartë, si mund të luftohet përtej kufijve kjo organizatë terroriste.

Rajonet nën kontrollin e IS në Veri dhe në Perëndim të Irakut dhe në Verilindje të Sirisë janë të lidhura me njëra-tjetrën. Luftëtarët radikalë janë në gjendje që armët e rënda, midis tyre tanke dhe artileri të konfiskuara në Irak, t'i kalojnë si t'u pëlqejë nga një vend në tjetrin. Para së gjithash Siria u shërben si zonë tërheqjeje. Prandaj SHBA nuk janë në gjendje ta dobësojnë seriozisht "Shtetin Islamik", mendon Andre Bank, ekspert i Lindjes së Afërt në Institutin GIGA të Hamburgut. Për një zgjidhje të qendrueshme nevojitet një strategji më e gjerë, para së gjithash një strategji joushtarake. Në pjesën ushtarake bën pjesë edhe zgjerimi i sulmeve mbi Sirinë.

Parakushte të ndryshme në Irak dhe në Siri

Megjithatë, parakushtet politike për sulme ajrore në Siri janë të ndryshme nga ato në Irak. Në një kohë kur aviacioni i SHBA sulmon me kërkesë të qeverisë së Bagdadit, një kërkesë e tillë nuk mund të pritet nga Siria. Rusia dhe Irani kanë bllokuar deri tani të gjitha inisiativat e Perëndimit dhe të shteteve arabe për Sirinë. Megjithatë, këto inisiativa kanë qenë të drejtuara kundër regjimit të Damaskut. Në luftë kundër "Shtetit Islamik" ka tani edhe përkim interesash midis Perëndimit, Rusisë dhe Iranit, thotë eksperti i Hamburgut. Të gjitha palët e shohin xhihadizmin radikal-sunit si kërcënim masiv.

Problematike janë goditjet ajrore, sepse sipas Bank-ut, regjimi i Assadit ka interes që IS, të ekzistojë, ndonëse i dobësuar, edhe më tej në territorin sirian. Për IS regjimi ka nevojë. Që të përdorë prej tij herë pas here retorikën "Ne jemi një regjim laik, ne luftojmë këtu kundër terroristëve". Kjo në një kohë kur regjimin e Damaskut e akuzojnë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Si përfytyrohet lufta e mëtejshme kundër IS nga SHBA, këtë Presidenti i SHBA, Barack Obama do ta sqarojë të mërkurën që vjen. Presidenti amerikan duhet të përcaktojë në mënyrë më precize objektivat e angazhimit ushtarak. Veç kësaj ai duhet të përcaktojë se çfarë roli duhet të luajnë shtetet sunite të rajonit. "A janë ato pjesë e strategjisë së zhvillimit, apo e strategjisë ushtarake?" pyesin ekspertët. Dhe së treti nevojitet një plan i ndihmave humanitare.