Kushtet e Kurtit për Asociacionin e Komunave Serbe
2 Shkurt 2023Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kushti kryesor sipas tij, është që Asociacioni "duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën në Kosovës”. Kurti kushtet e tij për Asociacionin i prezantoi në një seancë në Kuvendin e Kosovës që nuk ishte paralajmëruar se do të diskutonte për dialogun me Serbinë.
"Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t'i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës. Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”, tha kryeministri Kurti.
Reagim i ashpër i partive opozitare
Sipas tij, "Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t'i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën”, tha kryeministri i Kosovës, duke përmendur kushtin e fundit që "Presidenti i Serbisë t'i tërheqë letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-së për mosaplikimin e Kosovës në BE”, tha Kurti. Sipas tij, "Këto gjashtë kushte që i vendosa unë janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian te qeverisjes dhe politikbërjes”.
Qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin e komunave serbe hasi në reagim të ashpër të partive opozitare. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se "2 shkurti është data e pranimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nga kryeministri, Albin Kurti”. Sipas tij, "kryeministri Kurti do duhej që të vinte e të raportonte në Kuvend të Kosovës pas çdo takimi që pati zhvilluar në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç”.
Vuçiçi raportoi sot para parlamentit të Serbisë
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç raportoi sot para parlamentit të Serbisë lidhur me rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi. Vuçiçi konfirmoi në Kuvendin e Serbisë se "90 % e asaj që ka dalë në opinion rreth përmbajtjes së propozimit të BE-së për zgjidhjen lidhur me Kosovën është e vërtetë”.
"Në pikën 4 shkruhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare”, tha Vuçiç duke shtuar se siç tha "nuk guxon të zbulojë tërë planin evropian për Kosovën”. Ai tha se megjithatë "politika e Serbisë është që me çdo çmim të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe'. Presidenti i Serbisë tha se ekipi diplomatik evropiano-amerikan gjatë takimit në Beograd më 20 janar, i kanë thënë atij se "do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën”.
"Më thanë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e ardhjes së investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse”, tha Presidenti Vuçiç.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, njoftoi se të mërkurën në mbrëmje se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe se temë e bisedës ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht propozimi i BE i njohur si plani franko-gjerman.
"Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, shkroi Blinken. Nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, njoftoi se takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
"Në vazhdimësinë e telefonatës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, takim i mrekullueshëm me Ministrin e Jashtëm serb Daçiç. Ai rikonfirmoi miqësinë e kahershme mes nesh dhe shprehu mbështetjen për angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përpjekjet për të promovuar paqe/siguri më të madhe në rajon”, shkroi këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.