Kurti: Nuk marr pjesë në takimin e 11 majit në Bruksel
28 Prill 2021Këtë deklaratë kryeministri i Kosovës e bëri nga Brukseli ku po qëndron për vizitë dy ditore dhe po zhvillon takime me krerët më të lartë të BE-së.
"Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund t'ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisioneri Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor. Vizita që e kemi këtu dy ditë është në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale, që na nevojiten edhe më shumë marrëdhëniet e tilla të forcuara dhe takimet e tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë edhe me parime pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, tha Kurti.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 26 prill, pas një takimi që zhvilloi me Presidentin e Serbisë Aleksander Vuciq, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë më 11 maj.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, tha se se ai s'ka problem nëse Albin Kurti nuk merr pjesë në takimin e 11 majit në Bruksel. "Jam ftuar për këtë takim me 11 maj dhe do të shkojë në dialog më 11 maj nëse do të mbahet. Nëse thonë se nuk mbahet, edhe më mirë, do të bëjë diçka të mirë në vend të kësaj e do të kem më pak probleme atë ditë”, citon Presidentin Vuҫiq mediumi serb Tanjug.
Non-paper e pranueshme
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga Brukseli foli edhe për dokumentin "non-paper”, të publikuar ditët e fundit në medie, për zgjidhjen e mundshme të çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku përmendet edhe mundësia e ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
"Unë besoj që të gjithë këtyre dokumenteve 'non-papers' është më së miri t'u përgjigjemi me no comment, sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, tha Albin Kurti.
Kurse Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, tha se "me paraqitjen e non-paper-it po shtohet presioni ndaj Serbisë. "Kjo paraqitje e non-paperit do të thotë se presionet ndaj Serbisë do të rriten dhe se ne po u afrohemi presioneve përfundimtare në të cilat duhet të arrihet një zgjidhje, ose duhet gjetur një fajtor”, tha Vuciq në Novi Sad dhe shtoi: "Më lejoni t'ju them menjëherë se ajo që është shkruar në të nuk do të ndodhë, njohja nuk është e pranueshme për Serbinë."
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do ta vazhdojë vizitën në Bruksel me takime të merkurën në darkë me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajqak, ndërsa të enjten me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me Përfaqësuesin e lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Josep Borrell.