1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurti akuzon ashpër ndërmjetësuesin Lajçak

18 Shtator 2023

Kryeministri i Kosovës tha në një konferencë shtypi se në takimin me Vuçiqin në Bruksel kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes Josep Borrelit, emisarit të tij Lajçak dhe presidentit serb, Vuçiq.

https://p.dw.com/p/4WUEu
Kosovë: ndërmjetësuesit Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar dhe Albin Kurti
Kosovë: ndërmjetësuesit Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar dhe Albin KurtiFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi ashpër të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, së ai është "pozicionuar kundër Kosovës”. Sipas Kurtit në takimin e 14 shtatorit që u zhvillua në Bruksel ndërmjet tij dhe presidentit serb Vuçiq, "dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë dhe Lajçakut për "krijimin e një skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Pamje nga takimi në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe presidentit serb Vuçiq
Pamje nga takimi në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe presidentit serb VuçiqFotografi: EU-Kommission

"Këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqëndruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj, por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim", tha Kurti në një konferencë shtypi në Prishtinë.

"Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa u përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen. Është marrëveshja bazë e njohjes së ndërsjelltë de-facto”, tha Kurti.

Marrëveshja bazë dhe sekuencimi

Sipas kryeministrit të Kosovës ai ua ka bërë të ditur shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe të dërguarit të tij për dialogun Lajçak, se hapi i parë duhet të jetë dakordimi i një hapi të sekuencimit, ku përfshihet nënshkrimi i marrëveshjes bazë.

"Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë, bilateral me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar me nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bëra të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar”, tha Kurti, duke theksuar se presidenti i Serbisë, ka kohë që deklaron se "nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”.

Lista Srpska e akuzon Kurtin për qëndrim antiserb

Kryeministri kosovar tha se përmes letrave e ka informuar Uashingtonin, Berlinin, Parisin dhe Romën për ecurinë e takimeve në Bruksel. Pas konferencës së kryeministrit Kurti, reagoi menjëherë Lista Srpska, partia me e madhe e serbëve të Kosovës e cila akuzoi kryeministrin kosovar për siç tha "qëndrim antiserb” dhe për veprime "kundër popullit serb në Kosovë”.

"Kurti nuk dëshiron të shtensionojë situatën, por të rrisë tensionet dhe të kërcënojë paqen e brishtë”, tha lista Srpska.

Takimi i fundit me 14 shtator Kurti-Vuçiq në Bruksel, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bashkimi Evropian, tha se pala kosovare kishte refuzuar një propozim të bllokut evropian për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Kurti hodhi poshtë deklaratat e Brukselit, duke thënë se në takim kishte dorëzuar një plan të tij për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Vuçiq: Presion nga perëndimi

Presidenti i Serbisë,Aleksandar Vuçiq nga ana e tij, tha se në ditët në vijim pret "një presion të ri” të perëndimit ndaj shtetit lidhur me bisedimet me Kosovën.

"Ata në thelb u pajtuan me gjithçka që po bën Albin Kurti dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka që ata duhet ta bëjnë patjetër, sepse, marrëveshja për të është nënshkruar dhjetë vjet e gjysmë më parë dhe prandaj ne insistojmë”, tha Vuçiq për mediet në Serbi.