1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurdët kundërpërgjigjen

Birgit Svennson22 Dhjetor 2014

Me mbështetjen e SHBA luftëtarët e Peshmergas e rimorën malësinë Sinxhar. Jezidët që kanë mbetur mund të gjejnë vende të sigurta. Por vuajtjet e njerëzve vazhdojnë, thotë Birgit Svensson nga Dohuku.

https://p.dw.com/p/1E8Nm
Peshmarga ne Sinxhar
Fotografi: picture alliance/Emrah Yorulmaz/Anadolu Agency

Gjithë javën u panë lëvizje autokolonash me ushtarë, tanke dhe automjete terreni që kalonin përmes Dohukut në drejtim të liqenit të Mosulit. Këtu, ku janë ngritur diga për lumin Tigër, është pika e grumbullimit për ofensivën ushtarake më të madhe deri tani të Peshmergas kurde në luftë kundër "Shtetit Islamik". Mbi 8000 luftëtarë kurdë marrin pjesë në të. Presidenti i kurdëve, Masud Barzani personalisht e ka marrë komandën mbi aksionin.

Të mërkurën autokolonat ushtarake u nisën në qytetin e çliruar Zumar. Prej atje rruga vazhdoi drejt Perëndimit në malësinë Sinxhar, ku Peshmergat në orët e para të mëngjesit të së enjtes nisën sulmin kundër milicëve xhihadistë - të mbështetur nga më shumë se 100 sulme të aviacionit luftarak amerikan. Që prej fillimit të gushtit, IS kontrollonte dhe terrorizonte të gjithë rajonin në Perëndim të Liqenit të Mosulit. Pas rimarrjes së rajoneve të rëndësishme, tani më shumë se 1000 jezidë, të cilët kanë qendruar të fshehur nga luftëtarët e IS për muaj të tërë në male, mund të sillen përmes një korridori nëpër Siri në Dohuk, në kampet e refugjatëve. Njëkohësisht, Peshmergat përpiqen t'i sigurojnë në plan afatgjatë rajonet që kanë rimarrë.

Kthimi i kurdëve në Sinxhar
Kthimi i kurdëve në SinxharFotografi: Reuters/Massoud Mohammed

Jezidët akuzojnë kurdët

Tërheqjen e luftëtarëve kurdë nga xhihadistët, që po afroheshin në gusht, shumë përfaqësues të jezidëve e shohin si komplot kundër grupit të tyre popullor. Ata i lanë në baltë jezidët, thotë edhe 28 vjeçarja Nareen Shammo. Punën si gazetare në stacionin televiziv kurd Rudaw Shammo e ka lënë përkohësisht, për t'i kushtuar fatit mizor të grupit të saj popullor. 4000 persona të rrëmbyer nga xhihadistët ka regjistruar ajo dhe përfaqësues të tjerë të jezidëve.

Shqetësimi për një genocid ndaj jezidëve bën pjesë në një nga shkaqet, pse SHBA hynë në luftë. Një javë pas sulmit në Sinxhar, Presidenti Barack Obama urdhëroi nisjen e sulmeve ajrore kundër xhihadistëve. Që në verë u arrit që me ndihmën e luftëtarëve kurdë në Siri të kalohen rreth 80.000 refugjatë në kufirin për në Siri, për në zonat kurde të autonomisë. Shumica e tyre janë vendosur që atëherë në qytetet kufitare Zakho dhe Dohuk.

Jo vetëm jezidët ankohen që Peshmergat u larguan në gusht kur po afroheshin xhihadistët. Mijëra të krishterë të tjerë, fshatrat dhe qytetet e të cilëve u pushtuan gjithashtu nga IS, nuk mund ta kuptojnë tërheqjen e kurdëve atëherë.

Prandaj kundërofensiva aktuale nuk është vetëm një sukses ushtarak. Ajo ka edhe efekt psikologjik. Po të arrijnë luftëtarët e Peshmergas që pas malësisë të rimarrin edhe qytetin e Sinxharit, atëherë do të rifitohej terren i humbur. Para së gjithash do të rifitohet besimi.