Kurban Bajrami dhe pelegrinazhi drejt Mekës
Festa e Kurban Bajramit shënon kulmin e pelegrinazhit në Mekë. Meka është vendi më i shenjtë në botë për myslimanët. Çdo vit besimtarët myslimanë ndjekin ritualin e pelegrinazhit drejt vendit të shenjtë.
Qendra e Besimit
Meka është vendi më i shenjtë në botë për myslimanët. Sepse këtu ndodhet Qabja e cila nga myslimanët nderohet si "Shtëpia e Zotit". Ndërtesa në formë kubi ndodhet në brendësi të Xhamisë së Madhe në Mekë dhe është e mbuluar me një perde të zezë. Pelegrinët duhet t'i sillen Qabes shtatë herë.
Profeti Muhamed
Themeluesi i Islamit, Profeti Muhamed lindi në Mekë. Në këtë paraqitje të artistit Rashid Al-Din nga shekulli i XIV-të profeti qëndron me përfaqësuesit e fiseve arabe para Qabesë. Ai mban gurin e zi të shenjtë i cili sot ndodhet në cepin lindor të Qabesë.
Udhëtim i rrezikshëm
Në shekujt e mëhershëm, pelegrinët shkonin në Mekë në karvane të mëdha. Në rrugëtimet e gjata nga Egjipti dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, besimtarët sulmoheshin shpesh.
Udhëtim i shpejtë
Sot shumica e pelegrinëve mbërrijnë me avion në Arabinë Saudite. Nga Aeroporti Ndërkombëtar në Jeddah, pelegrinët transportohen me autobuzë për në Mekë, e cila ndodhet rreth 80 kilometra larg këtij aeroporti.
Qyteti i madh me tenda
Mina është një luginë afër Mekës. Në Mina për çdo vit gjatë kohës së haxhit ngrihen me dhjetëra mijëra tenda. Ato shërbejnë për akomodimin e besimtarëve gjatë vizitës së tyre që zgjat disa ditë. Akomodimi dhe ushqimi i miliona pelegrinëve paraqet çdo vit një sfidë të madhe logjistike.
Ihrami
Para fillimit të ceremonisë së haxhit besimtarët meshkuj vishen me një rrobë të bardhë e cila përbëhet nga dy pjesë të paqepura nga pëlhura e pambukut. Kjo veshje quhet ndryshe edhe 'Ihram'. Ihram quhet edhe marrja e vendimit (nijeti) me të cilin Haxhiu fillon t’i kryejë ceremonitë e haxhit.
Mali Arafat
Në fillim të Haxhit besimtarët vizitojnë malin e shenjtë Arafat, i cili ndodhet rreth 25 kilometra në lindje të Mekës. Këtu Profeti Muhamed dha predikimin e tij të fundit. Pikërisht në këtë vend pelegrinët qëndrojnë dhe i luten Zotit që t'iu falë mëkatet e tyre.
Largimi i djallit duke gjuajtur me guriçka
Gjatë Haxhit disa herë kryhet gjuajtja simbolike me gurë e djallit. Si në Mina ashtu dhe në Mekë besimtarët gjuajnë me shtatë guralecë në drejtim të mureve të larta të cilat simbolizojnë djallin. Më parë besimtarët gjuanin gurë të mëdhenj por disa herë padashje janë goditur edhe njerëzit.
Festa e sakrificës
Një pjesë e rëndësishme e Haxhit është Festa e sakrificës (Kurban Bajrami). Përmes saj kujtohet Profeti Ibrahim (në bibël Abrahami), i cili ishte i gatshëm të sakrifkonte edhe birin e tij vetëm për të përmbushur urdhërin e Perëndisë. Ashtu si edhe në tregimin biblik në vend të njeriut theret një kafshë. Mishi pastaj u shpërndahet kryesisht atyre që kanë nevojë.
Rreziku nga paniku
Për shkak të turmave të mëdha të besimtarëve ndodhin edhe incidente tragjike si pasojë e të cilave shpesh janë plagosur apo kanë vdekur qindra njerëz.
Duke u falur bashkarisht
Më shumë se dy milionë e gjysmë myslimanë nga e gjithë bota kanë vizituar Mekën gjatë dy viteve të fundit. Rreth 20.000 mjekë dhe punonjës të shëndetësisë vihen në dispozicion të besimtarëve. Mbi 100 mijë ushtarë vëzhgojnë ceremonitë festive dhe përkujdesen për sigurinë e besimtarëve.
I vetmuar
Për shumë myslimanë, Haxhi është ceremonia më e rëndësishme fetare e jetës së tyre. Por kaq i vetmuar si ky besimtar në malin Arafat njeriu është rrallë gjatë kohës së Haxhit.