Vullnet i pathyer për grevë në Francë
27 Dhjetor 2019Sindikatat u shërbyen grevistëve në Paris ushqime Krishtlindjesh, për t'i motivuar ata të vazhdojnë grevat. Ato iu përcollën punonjësve edhe para për të kapërcyer këtë periudhë. Sepse në Francë nuk ka vazhdim të rrogës kur je në grevë.
Vullneti për grevë me sa duket po vazhdon të jetë i fortë: rreth 60 përqind e drejtuesve të lokomotivave lanë punën në ditën e Krishtlindjes. Rezultati: edhe në ditën e 22-të të grevës, grevat penguan ndjeshëm transportin publik lokal dhe atë të distancave të gjata.
Planifikohen veprime të tjera të grevistëve
Për ditët në vijim janë planifikuar veprime të tjera të grevistëve. Qeveria, nga ana tjetër, i përmbahet planit të saj për të prezantuar reformën e pensioneve në kabinet në 22 janar.
Në Paris, transporti publik në ditët e Krishtlindjes pothuajse u ndal plotësisht. Taksitë, shërbimet e automjeteve dhe sipërmarrjet e makinave me qira ishin të mbingarkuara nga kërkesat e shumta. Nëpër rrugë ecnin kolona të gjata me mijëra demonstrues.
Jo pushim në shumë pjesë të vendit
Dita e dytë e Krishtlindjes në Francë është pushim vetëm në departamentet e Alzasës dhe të Lorenës. Meqenëse qarkullonte vetëm një ndër dy trena me shpejtësi të lartë, kishte kufizime të konsiderueshme. Në Paris, përveç linjave automatike të metrosë, gjatë orëve më të ngarkuara në mëngjes dhe në mbrëmje qarkulluan vetëm shtatë linja shtesë të metrove. Kufizime pati edhe në trenat periferikë dhe rajonalë.
Grevat janë drejtuar kundër projektit qendror të reformës së Presidentit Emmanuel Macron, i cili synon të unifikojë sistemin e ndërlikuar me 42 skema të ndryshme pensioni dhe të zvogëlojë deficitin prej miliardash në fondet e pensioneve. Rritja faktike e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç në të ardhmen është një pikë veçanërisht e diskutueshme. Greva organizohet kryesisht nga sindikatat e hekurudhave, megjithatë në të po marrin pjesë edhe sektorë dhe institucione të tjera.
tagesschau