Transnistria dhe Rusia
30 Mars 2014Tanku sovjetik në qendër të Tiraspolit ka shumë miq. Një djalë i vogël është ngjitur deri te bazamenti i monumentit të luftëtarit, shikon që aty panoramën e ndërtesave me parafabrikate të kryeqytetit të Transnistrisë dhe i bën që aty me dorë gjyshes, e cila e pret poshtë. Edhe të rinjve duket se u pëlqen tanku. Ata fotografohen këtu me shokët. Ngjitur me të ndriçon në qiellin e pranverës kupola e verdhë e një kishe të vogël ortodokse ruse. Por më e lartë se kisha ngrihet në qiellin blu një statujë e Leninit, para një parlamenti, që quhet "sovjeti suprem", në një vend i cili sipas së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston.
Pas një konflikti të shkurtër ushtarak Transnistria u nda në vitin 1992 me ndihmën ruse nga republika e Moldavisë, por nuk njihet deri sot nga asnjë shtet ndërkombëtarisht. Ushtarët rusë janë ende të stacionuar në rajonin separatist. Në 2006 rreth 97% e qytetarëve votuan në një referendum për aneksimin nga Federata Ruse.
Këtë përkujtoi presidenti i parlamentit të Transnistrias, kur javën e kaluar sipas njoftimeve të gazetës ruse "Wedemosti" iu drejtua Moskës. Kërkesa e tij: Rusia duhet të krijojë bazën ligjore për aneksimin e Transnistrias.
"Rusia në rrugën e duhur"
"Ne sllavët duhet të jetojmë në mes të sllavëve dhe Rusia është politikisht në rrugën e duhur", thotë një burrë me mustaqe të thinjura në Tiraspol, i cili ka qenë në pazar. Një muzikant i verbër i bie fizarmonikës në rrugë. Njerëz të moshuar ofrojnë mallrat e tyre: nga stemat me simbolet sovjetike, te këpucët e përdorura deri te tubat për banjo. Më shumë se 60 përqind e 500.000 banorëve të Transnistries flasin rusisht. Burri me mustaqe thotë se nuk ka asgjë kundër republikës së Moldavisë dhe popullsisë rumunëfolëse. Fundja ai ka studjuar inxhinieri në kryeqytetin moldav. Por rumanisht, gjuhën zyrtare të Moldavisë, së cilës Transnistria vazhdon t'i përkasë në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ai nuk dëshiron të flasë në intervistë me DW.
Por ai mendon se për të gjitha problemet politike nuk është fajtore qeveria e Moldavisë, por një komplot i madh i SHBA-së: "Jugosllavia ka qenë më parë një parajsë, por amerikanët e kanë kthyer në një skëterrë. Këtë kanë bërë tani me Ukrainën dhe kjo ka për të ndodhur në Moldavi."
Kryesorja të mos ketë "kaos si në Ukrainë," mendon edhe një mësuese matematike. Bashkimin me Rusinë ajo e aprovon pa hezitim. Sundimtarët e rinj në Kiev? "Fashistë!" Ky lexim i ngjarjeve përputhet me deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin dhe mediave shtetërore ruse, që ndiqen shumë në Transnistri. Ajo thotë se nuk ka frikë nga një krizë në rajon: "Sepse trupat nga Rusia i mbrojnë kufijtë tanë mirë." Fakti se ushtarët rusë këtë muaj kanë kryer stërvitje ushtarake në Transnistria, duket se nuk e shqetëson, por më tepër e qetëson.
Një muze nga Bashkimi Sovjetik?
Por jo të gjithë e shohin Moskën si mike dhe ndihmëse. Një grua e moshuar, që lexon një libër në diell, shikon një herë me kujdes përreth, para se të flasë. "Unë jam ukrainase", thotë ajo me zë të ulët. "Si mund të isha për përfshirjen e Transnistries në Federatën Ruse?" Si edhe bashkëbiseduesit e tjerë ajo nuk do të thotë emrin dhe as të fotografohet.
Në guidat turistike perëndimore Transnistria është quajtur shpesh "një muze në ajër të hapur i Bashkimit Sovjetik". Por koha edhe këtu nuk rri në vend. Në shikim të parë duket madje sikur ekzistojnë njëherësh disa epoka. Shërbimi sekret i shtetit autoritar, që në të vërtetë nuk është shtet, quhet KGB si në Bashkimin Sovjetik. simbolet komuniste të çekiçit dhe drapërit dhe statujat e heronjve sovjetikë do ta impresionin çdo nostalgjik të Bashkimit Sovjetik.
Por edhe posterat me ngjyra me smartphone të rinj, apo një foshnje e qeshur, reklamë për një klinikë për fekondimet in vitro, mund t'i shohësh rrugës midis Tiraspolit dhe qytetit kufitar Bender.
Duke shpresuar për një vend studimi në Moldavi
Në kryeqytet të rinj të veshur sipas modës flasin për të adhmen e tyre, të cilën nuk e shohin më në Transnistri. Pas maturës do të studjoj me siguri në Moldavi, thotë një vajzë e re me flokë të verdha kaçurela: "Sepse atje arsimi është në nivel evropian."
Edhe një i ri me tuta sporti dhe me trup të stërvitur shpjegon në rumanisht se ka një qëndrim pozitiv ndaj republikës së Moldavisë. Por e gjitha është çështje e standardeve të jetesës. "Sikur në Moldavi ato të ishin po aq të larta sa në Rusi, edhe njerëzit nga Rusia do të donin të shkonin atje", thotë ai. Në Rusi ai ka punuar në ndërtim, "për një pagë të mirë." Një tjetër arsye për simpatinë e tij për Rusinë: Ai e di se Moska e mbështet ekonomikisht rajonin separatist të Transnistrisë, për shembull, pensionet subvencionohen nga shteti rus. Përveç kësaj benzina dhe gazi janë më të lira se në Moldavi. Gruaja e tij, të cilën edhe gjatë bisedës e mban me dashuri në krah, shton se njerëzit në Krime me siguri do të përfitojnë nga aneksimi prej Rusisë: "Tani do të marrin pensione më të mira se më parë."
Pse është vetëm Rusia kaq tërheqëse për të rinjtë, që e shohin vetën më shumë si pragmatistë, dhe jo Bashkimi Evropian me standardin e tij shumë më të lartë të jetesës? I riu me tuta sporti ngre supet dhe hedh vështrimin tutje. "Sepse nuk kam qenë kurrë në Evropë. Nuk di asgjë për të."