1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kujdes, po vijnë skocezët!

Peter Geoghegan18 Prill 2015

Partia Nacionale Skoceze ka mundësi që të ndodhet para një fitoreje historike në zgjedhjet për Parlamentin britanik. Me këtë ajo mund të vendosë përbërjen e qeverisë në Londër.

https://p.dw.com/p/1FA9u
SNP
Fotografi: SNP

Jeta ecën në rrjedhën e saj të ngadaltë në qytetin e bukur dhe të vjetër skocez Annan. Në parkingun e një qendre tregtare, këtë mëngjes janë mbledhur një dyzinë ndihmësish të Partisë Nacionale Skoceze, SNP. Në kushte normale, kandidatja e SNP-së, Emma Harper nuk do të kishte shans të fitonte në këtë pjesë të Skocisë, kaq pranë kufirit me Anglinë. Në zgjedhjet e fundit për Dhomën e Ulët të Parlamentit në vitin 2010, nacionalistët skocezë mezi arritën të marrin 10 përqind të votave.

Marshim triumfues i Partisë Nacionale

Por këtë vit rrethanat janë gjithçka tjetër, por jo normale. Partia Liberale SNP është në Skoci jo më pak se 28 pikë përqindjeje para Partisë Laburiste. Edhe nëse nacionalistët vitin e kaluar humbën në referendumin për pavarësinë, besohet se në zgjedhjen për Dhomën e Ulët do të marrin 54 nga 59 vende skoceze.

Kjo do të ishte e barabartë me një gjashtëfishim të numrit të sotëm. Një rezultat i tillë do ta bënte thuajse të pamundur një fitore laburiste gjithëbritanike. Por mund të hapte rrugën për një marrëveshje midis SNP-së dhe laburistëve për kohën pas zgjedhjeve.

Mbrojtje e interesave skoceze

SNP përfiton nga një gjendje e pazakontë: kjo parti është në pushtet që prej vitit 2007 në parlamentin rajonal. Shumë zgjedhës e shohin atë si avokate kompetente të interesave skoceze. Njëkohësisht, kjo parti ka avancuar për shumë zgjedhës të pakënaqur me politikën e deritashme, në parti proteste.

Që prej referendumit të pavarësisë në shtator 2014, numri i anëtarëve të SNP-së është katërfishuar dhe ka arritur në mbi 100.000 vetë. Në sistemin partiak të Mbretërisë së Bashkuar, SNP ka zënë tashmë vendin e tretë. Në Annan para pak kohësh u themelua për herë të parë që prej viteve '60 një degë lokale e partisë.

Me kryetaren e re të partisë, Nicola Sturgeon, Partia Nacionale Skoceze ka veç kësaj një mobilizuese që bën përshtypje të mirë edhe në publik jashtë Skocisë. Debutimi i ish-avokates 44 vjeçare nga Glasgow në të vetmin debat televiziv të fushatës elektorale me kryeministrin David Kameron gjeti mbështetje të gjerë.

Nëse SNP merr rezultat të mirë në zgjedhjen në Dhomën e Poshtme, ajo mund të kthehet në gjuhëzën e peshores për formimin e qeverisë. Në fillim të muajit, Sturgeon u ofroi laburistëve një pakt kundër politikës së kursimit të Torie, nëse kjo parti fiton mjaftueshëm vota, për t'i mundur konservatorët.