Kujdes, kartëmonedha të falsifikuara!
20 Korrik 2015Disa janë falsifikime të qarta, të tjerat mund t'i identifikojnë vetëm ekspertët. Falsifikatorët hedhin vazhdimisht kartëmonedha të rreme në qarkullim. Në Gjermani, bankat, tregtarët dhe policia kanë identifikuar në gjashtë muajt e parë të këtij viti, rreth 50.500 kartëmonedha të falsifikuara me një vlerë prej 2.2 milion euro.
Kemi pra 31 për qind më shumë se në gjysmën e dytë të vitit 2014 - më shumë se kurrë më parë që nga futja e euros. "Shfaqja e parave të falsifikuara mbetet në Gjermani, megjithë rritjen, në një nivel të ulët", thotë Carl-Ludwig Thiele zëvendëspresident i Bankës Federale Gjermane. "Megjithatë, është e nevojëshme të forcojmë përpjekjet e përbashkëta të policisë dhe të eurosistemit në luftën kundër parave të falsifikuara."
Edhe në BE, numri i parave të falsifikuara është i ulët. Sipas Bankës Qendrore Evropiane (BQE) nga janari deri në qershor janë nxjerrë prej trafikut në botë vetëm 454.000 kartëmonedha euro të falsifikuara janë marrë, 10.5 për qind më pak se në gjysmën e dytë të vitit 2014.
Falsifikatorët preferojnë prerjet e vogla
Në Gjermani, 90 për qind e të gjitha kartëmonedhave të falsifikuara janë ato 20 dhe 50 euroshe. Nëpër Evropë kjo shifër është 86 për qind. Arsyeja është e thjeshtë: fitim sa më i lartë që të jetë e mundur me rrezikun më të ulët të mundshëm. Sepse kartëmonedhat 100, 200 ose 500 euroshe kontrollohen më me kujdes, ndërsa fitimi i falsifikatorëve me kartëmonedhat pesë dhe dhjetë euro është relativisht i ulët. Por me sa duket kartëmomedhat e reja do të jenë më të vështira për t'u falsifikuar.
Që në vitin 2013 dhe 2014 BQE hodhi në qarkullim kartëmonedhat e reja pesë dhe dhjetë euroshe, të cilat duhet të jenë shumë më të vështira për t'u falsifikuar. Më 25 nëntor 2015 fillon hedhja në treg e serisë së re të 20 eurove, thotë Carl-Ludwig Thiele.
Si të veprojmë në rast dyshimi?
Në rast dyshimi duhet t'i kontrolloni të gjitha elementet, rekomandojnë eksperët, pra hologramet, ngjyrat apo shkronjat. Në rast se dikujt i bie në dorë një kartëmonedhë e falsifikuar, duhet t'i drejtohet menjëherë policisë, thotë Leo Kleinhans, drejtor i Sektorit për paratë e falsifikuara pranë BKA-së. Po ashtu mirë është që personi të vrasë mendjen, se ku mund t'i ketë rënë në dorë kjo kartëmonedhë.
Sipas ligjeve gjermane personi që mundohet ta rifusë në qarkullim një monedhë të falsifikuar, kryen një vepër penale, e cila dënohet deri me një vit heqje lirie.