1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KS vendos deri më 30 qershor për Kosovën

Viron Gjymshana16 Maj 2007

Muajin e ardhshëm Belgjika merr kryesinë e rradhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me këtë rast ministri i saj i jashtëm, Karol de Gucht deklaron se: " Eshtë shumë e mundshme që në qershor Këshilli i Sigurimit i OKB-së të vendosë për pavarësinë e Kosovës"

https://p.dw.com/p/ArVb
Karel de Gucht, Ministri i jashtëm i Belgjikës
Karel de Gucht, Ministri i jashtëm i BelgjikësFotografi: AP

Deri më 30 qershor më së largëti do të jetë mësuar se çfarë do të vendosë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Ka qënë ministri i jashtëm i Belgjikës, Karol de Gucht, i cili pas një takimi që zhvilloi në Nju - Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki – moon, deklaroi se në qershor Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të vendosë edhe për të ardhmen e Kosovës.

Deklarata e kryediplomatit belg si dhe takimi i tij me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së janë të lidhura me kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në muajin qershor pikërisht nga Belgjika. Karol de Gucht pohoi me këtë rast se përveç Kosovës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shqyrtojë dhe marrë vendime gjatë muajit të ardhshëm edhe ndaj situatës në Darfur të Sudanit, Lindjes së Mesme etj. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, ministri i jashtëm i Belgjikës deklaroi se: " Eshtë shumë e mundshme që në qershor Këshilli i Sigurimit i OKB-së të vendosë për pavarësinë e Kosovës".

Siç dihet kryesia e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndrrohet çdo muaj. Aktualisht ajo mbahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në muajin qershor do të jetë Belgjika që do të kryesojë punimet e këtij organizmi të rëndësishëm. Të dyja këto vende janë përkrahëse të deklaruara të pavarësisë së Kosovës. Më pas Këshilli I Sigurimit të OKB-së do të kryesohet nga Kina, Kongo, Franca, Gana, Indonezia, Italia etj.

Kryesimi i Këshillit të Sigurimit aktualisht nga SHBA-ja dhe muajin e ardhshëm nga Belgjika duket se është edhe shkaku që diplomacia perëndimore po përpiqet që sa më shpejt të aprovojë një rezolutë të re për Kosovën. Në Bruksel janë pothuaj të sigurt se deri më 30 qershor do të aprovohet rezoluta re. Por mëdyshjet gjallojnë rreth tekstit dhe përkufizimeve në të. Si përshembull nëse në rezolutën e re do të përfshihet plotësisht propozimi i Marti Ahtisarit për një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, apo vetëm nëse do të mjaftohet me një rezolutë, në të cilën ndryshe nga rezoluta e mëparshme 1244 e aprovuar më 1999, nuk do të përmendet më sovraniteti i ish- Jugosllavisë ndaj Kosovës, me fjalë të tjera i Serbisë ndaj saj.

Në variantin e dytë pavarësia do të vijë pak nga pak, me kalimin e kohës, prej njohjes individuale të saj nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara.