1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KS nuk arrin të gjejë një pozicion të përbashkët për Rripin e Gazës

Lena Bodewein 4 Janar 2009

Shumë vende kërkuan t'u jepej fund aksioneve ushtarake, ndërsa SHBA-të bllokuan një projektrezolutë të Libisë, aktualisht të vetmit vend arab në Këshillin e Sigurimit.

https://p.dw.com/p/GRs0
Apele për paqe
Apele për paqeFotografi: AP

Megjithëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, kërkoi përfundimin e menjëhershëm të ofensivës së trupave tokësore, Këshilli i Sigurimit i OKB-s i mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm nuk pati asnjë rezultat. Forumi zhvilloi konsultime për rreth katër orë, por nuk mundi të binte dakord për një rezolutë të përbashkët. Libia, aktualisht vendi i vetëm arab në Këshillin e Sigurimit, paraqiti një projektrezolutë, e cila u bllokua nga SHBA-ja .

Sipas ambasadorit francez në Kombet e Bashkuara, Zhan Morisë Riper (Jean Maurice Ripert) , shumë vende anëtare shprehën fuqishëm shqetësimin e tyre për situatën në Lindjen e Afërme. Kolegu i tij britanik, Xhon Sauëers (John Sawers) u shpreh i zhgënjyer që situata në Rripin e Gazës po përshkallëzohet gjithmonë e më tepër. Ai tha se duhet bërë gjithçka për një armëpushim.

Vendet arabe kishin kërkuar një takim urgjent, bëri të ditur vëzhguesi palestinez pranë Kombeve të Bashkuara, Rajën Mansur (Ryan Mansour):

"Përgjegjësi e Këshillit të Sigurimit është që të bindë Izraelin. Vendi duhet të repsektojë të drejtat dhe ligjet dhe jo ligjet e xhunglës. Izraeli paska të drejtë të vetëmbrohet. Por gjysmë milioni palestinezë në Rripin e Gazës jetojnë prej një jave në një terror absolut, tremijë të tjerë janë plagosur ose janë vrarë", tha vëzhguesi palestinez.

Ndërsa presidenti aktual i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s, diplomati nga Nikaragua Miguel D' Escoto Brockman, tha se aksione të tilla rrezikojnë imazhin e Kombeve të Bashkuara:

"Vihet në diskutim imazhi i Kombeve të Bashkuara. Bota po sheh edhe një herë e tronditur, se si Këshilli i sigurimit nuk funksionon".