KS: Ndryshimi i klimës mund të rrezikojë paqen në botë
22 Korrik 2011Pas disa ditë debatesh Këshilli i Sigurimit ra dakord në lidhje me kërcënimin global nga ndryshimet klimatike. Përveç kësaj Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, iu kërkua të marrë në konsideratë çështjet e klimës në raportet e tij të ardhshme.
Në debatin e tij për klimën Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dëshmuar se edhe për hapa shumë të vogël nganjëherë duhen kapërcyer llogore të thella. Pas një debati të gjatë dhe të vështirë, duke diskutuar për elementet thelbësore të tekstit, organi më i lartë e OKB-së vendosi njezëri (20.7.) për versionin përfundimtar të një deklarate prezenciale, e cila përfundimisht doli shumë më e kujdesshme dhe jo-detyruese se sa projekti origjinal gjerman. Megjithatë ambasadori i Gjermanisë në OKB, Peter Wittig, foli për një arritje: "Ne kemi arritur për herë të parë, që të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit së bashku të konstatojnë mundësinë e një kërcënimi për paqen në botë nëpërmjet ngrohjes globale."
Një hap përpara
Tekstualisht thuhet se humbja e tokës të shteteve të vogla ishull nga rritja e nivelit të detit mund të ketë pasoja në politikën e sigurisë. Formulimet e mëtejshme u kundërshtuan kategorikisht nga Kina dhe veçanërisht nga Rusia. Një deklaratë prezenciale nuk ka karakter rezolute. Ajo është një deklaratë e kryetarit aktual të Këshillit të Sigurimit. Aktualisht ai është ambasadori gjerman. Wittig theksoi se për shkak të rëndësisë së temës, donte të arrinte patjetër një votë unanime. Rëndësi të veçantë ka në deklaratë se çështja e ndryshimit të klimës duhet të merret që tani parasysh në raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Me vendimin e tij organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara ka dëshmuar, se ai jo vetëm i përgjigjet krizave, por edhe vepron duke i parashikuar ato: "Këshilli i Sigurimit mund ta shfrytëzojë mandatin e tij brenda paqes botërore edhe për parandalimin e krizave. Dhe ishte mirë, që ai e bëri atë sot."
Autor: Thomas Schmidt /Angjelina Verbica
Redaktoi: Bahri Cani