1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KS i OKB: Në Kosovë janë shënuar përparime të mëdha, por zbatimi i standardeve duhet të vazhdojë

Bahri Cani14 Dhjetor 2006

Në Nju Jork u zhvillua seanca e KS të OKB kushtuar Kosovës.

https://p.dw.com/p/AraR
Fotografi: AP

"Shtyrja e zgjidhjes së statusit të Kosovës do të mund të rezultonte me destabilizime të reja", konstatohet në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB, Kofi Anan. Në raport theksohet se në Kosovë janë shënuar përparime të dukshme në zbatimin e standardeve, mirëpo duhet vazhduar me zbatimin e tyre.

Shefi i Unmikut Joahim Ryker tha se përparimet në zbatimin e standardeve varen prej zgjidhjes së statusit. Kjo zgjidhje do të mundësonte edhe kthimin e të zhvendosurve. "Shtyrja e zgjidhjes së statusit kushton shumë. Ajo i shkon në favor vetëm ekstremistëve", theksoi Ryker duke shtuar se në realizimin e standardeve janë bërë përparime të mëdha. "Numri i incidenteve ndëretnike ka rënë dukshëm. Pothuajse asnjë serb nuk paguan energjinë elektrike", tha Ryker i cili kritikoi Beogradin për pengeimin e pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës. Kryeadministratori u shpreh se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë me zbatimin e standardeve, ndërkohë që sa më parë duhet të kalohen edhe kompetencat tjera prej Unmikut tek institucionet e Kosovës.

"Vonesa e zgjidhjes së statusit vetëm sa mund të vështirësojë gjendjen në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare e ka për obligim ta ndihmojë popullin e Kosovës", konkludoi Ryker. Qëndrimet e palës serbe i prezantoi kryetarja e Qendrës Koordinuese serbe për Kosovë e Metohi, Sanda Rashkoviq - Iviq e cila tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të parimeve ndërkombëtare dhe rezolutës 1244. "Stabiliteti dhe paqa në Kosovë mund të arrihet vetëm me dialog dhe kompromise. Përshpejtimet hapin kutinë e Pandorës", theksoi Rashkoviq - Iviq. Përfaqësuesja e Beogradit tha se në Kosovë nuk ekziston liria e lëvizjes, ka akte të shumta të dhunës ndëretnike, në Kosovë janë kthyer vetëm dy përqind të serbëve ndërkohë që cënohen edhe vendet e shenjëta serbe.

Sanda Rashkoviq - Iviq kundërshtoi deklaratat e Marti Ahtisarit se kompromisi mes palëve është i pamundur. Sipas saj, zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me bisedime dhe kompromis. Ka kompromis, sipas saj, është "autonomia substanciale e Kosovës në kuadër të Serbisë". Këto qëndrime i kundërshtoi ambasadorja britanike, e cila theksoi se "Zgjidhja e statusit duhet të jetë në favor të një pavarësie të Kosovës, e cila do të mbikqyrej prej bashkësisë ndërkombëtare dhe do të respektonte të drejtat e minoriteteve."

Ambasadori amerikan në Këshillin e Sigurimit nënvizoi se Shtetet e Bashkuara i mbështesin përpjekjet e Ahtisarit për zgjidhjen e statusit dhe kërkojnë vazhdimin e angazhimit për zbatimin e standardeve. "SHBA dënojnë incidentet e fundit dhe paraqitjen e kontrolleve ilegale në rrugë, në disa rajone të Kosovës", theksoi ambasadori amerikan. Ai i bëri thirrje Beogradit që të mos pengoj pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës dhe të kthejë dokumentacionet e marra gjatë luftës.

"Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një ardhmëri të qartë. Shtyrja e zgjidhjes së statusit mund të jetë burim i destabilitetit. Prandaj, duhet arritur një zgjidhje të shpejtë të statusit, e cila do të respektonte të drejtat e minoriteteve dhe do të ishte në pajtueshmëri me vullnetin e kosovarëve", theksoi ambasadori amerikan.
Këto qëndrime mbështeti edhe Franca e cila është e zhgënjyer për shkak të bojkotit të institucioneve të Kosovës prej serbëve. "Zgjidhja e statusit duhet të jetë e pranueshme për shumicën e kosovarëve dhe të respektojë të drejtat e pakicave", theksoi ai. Ambasadori rus në KS ishte i vetmi i cili përshëndeti vetëm përfaqësuesen serbe Sanda Rashkoviq - Iviq. Për shefin e Unmikut, Joahim Ryker tha se nuk duhet të tejkalojë kornizën e mandantit të tij. Ai theksoi mangësitë në raport, në veçanti në kthimin e të zhvendosurve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në Kosovë duhet të respektohet e drejta e pronës, të mundësohet sundimi i ligjit, liria e lëvizjes, kthimi i të zhvendosurve dhe duhet evituar destabilizim. Ambasadori rus tha se lidershipi i Kosovës ka përgjegjësinë që të pengojë ekzstremistët. Ndërsa mospjesëmarrjen e serbëve në institucione e shpjegoi me mungesën e mirëbesimit. Përfaqësuesi rus ishte kundër afateve strikte kohore për zgjidhjen e statusit. Ai mbështeti zgjidhjen e cila do të arrihej me kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ambasadori rus ishte i vetmi, i cili nuk mbështeti hapur punën e Marti Ahtisarit. Përfaqësuesi i Kinës theksoi se Kosova ka mbërritur në udhëkryq. Sipas tij, statusi i Kosovës mund të ketë pasoja edhe në rajon. Këshilli i Sigurimit ka mbështetur qëllimet e Ahtisarit që rekomandimet e tija të paraqiten menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, me 21 janar. Si vëzhgues, në seancë ishte edhe kryemininistri i Kosovës Agim Çeku, i cili ka pasur takime me ambasadorë dhe përfaqësuesit e administratës amerikane. Pas takimit me zëvendësministrin e jashtëm amerikan, Nikollas Bërns, Çeku tha se pala amerikane e mbështet zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas vullnetit të kosovarëve.