1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri Johnson nën presion: hetim për festat

25 Janar 2022

Policia e Londrës ka nisur një hetim zyrtar për festat e mbajtura në selinë e qeverisë britanike gjatë masave kufizuese. Bëhet fjalë për“shkelje të mundshme të rregullave të koronas”. Presioni po rritet.

https://p.dw.com/p/464YI
London | Boris Johnson Premierminister von Großbritannien und Cressida Dick
Fotografi: Aaron Chown/empics/picture alliance

Në Londër, Policia e Scotland Yard-it po heton disa festa të mbajtura në rezidencën zyrtare të kryeministrit Boris Johnson dhe në ndërtesa të tjera qeveritare në kohën e mbylljes për shkak të masave kufizuese. "Unë mund të konfirmoj se Policia Metropolitane po heton një sërë aktivitetesh në lidhje me shkeljet e mundshme të kushteve kufizuese për koronan," tha shefja e Scotland Yard-it, Cressida Dick.

Johnsoni ka qenë nën presion të madh për javë të tëra pas raporteve për festa të paligjshme në rezidencën e tij zyrtare. Raporte të reja për festa të mbajtura dalin rregullisht. Jo më larg se e hëna e kaluar, kanali ITV raportoi për një festë që ishte mbajtur për ditëlindjen e Johnsonit me deri 30 pjesëmarrës.

Më parë, Johnsoni kishte pranuar në parlament se kishte marrë pjesë në një festë në oborr më 20 maj 2020 dhe me këtë rast kërkoi falje. Në atë kohë ishin të ndaluara për shkak të pandemisë takimet e më shumë se dy personave jashtë shtëpisë.

Opozita kërkon dorëheqjen e Johnsonit

Komisionerja e policisë, Cressida Dick del nga zyra e Johnsonit
Komisionerja e policisë, Cressida Dick del nga zyra e JohnsonitFotografi: Victoria Jones/PA/empics/picture alliance

Për Johnsonin, situata është gjithnjë e më e pasigurt. Gjithashtu këtë javë, priten rezultatet e një hetimi të brendshëm të udhëhequr nga nëpunësja e lartë civile Sue Grey për festat e paligjshme. Fati politik i Johnsonit mund të varet nga rezultati i këtij hetimi.

Lideri i opozitës, Keir Starmer i Laburistëve, e kritikoi qeverinë si "kaotike dhe pa drejtim" dhe bëri thirrje përsëri për dorëheqjen e Johnsonit. "Ai duhet të ikë," tha Starmeri. Johnson dhe qeveria e tij deri tani i kanë hedhur poshtë thirrjet për dorëheqjen.

Deputetët konservatorë kërkojnë mocion mosbesimi

Edhe në partinë e Johnsonit, zërat kritikë dëgjohen gjithnjë e më fort. Ditët e fundit janë shtuar akuzat për islamofobi në qeveri dhe për veprime të shkujdesura në luftën kundër mashtrimit me ndihmat për koronan.

Disa deputetë konservatorë tashmë janë shprehur hapur në favor të një mocioni mosbesimi ndaj kreut të qeverisë. Persona të brendshëm besojnë se një votim i tillë tani është i pashmangshëm.

Johnsoni e gjen veten përballë një koalicioni konfuz të kampeve të ndryshme. Po të shprehen 54 anëtarë të grupit të tij parlamentar në Dhomën e Komunave me shkrim për një ndërrim të tij, do të kishim një votë mosbesimi.

 

aud (tgsh, dpa)