1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orban mbrohet në Parlamentin Evropian

gmf/SC/aud (afp, dpa, arch.) / A. Dodi3 Korrik 2013

Kryeministri hungarez Orban i mbrojti para Parlamentit Evropian në Strasburg ndryshimet kushtetuese të diskutueshme në vendin e tij. Kritikën e deputetëve Orbani e refuzoi si me paragjykim dhe me motive thjesht politike.

https://p.dw.com/p/1910j
Fotografi: Reuters

Raporti për Hungarinë i Komisionit Juridik të Parlamentit Evropian, i miratuar pak kohë më parë është "thellësisht i padrejtë dhe fyes". Kështu u shpreh Viktor Orbani para seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg. Vendi i tij lufton kundër të gjithë atyre që ia kufizojnë lirinë dhe duan ta kthejnë vendin e tij në një "koloni". Kryeministri hungarez pati tërhequr vëmendjen që para debatit për shumicën prej dy të tretash, me të cilën partia e tij Fidesz qeveris Hungarinë. Orbani ka rënë në sy së fundi jo për mirë me një krahasim që i bëri kancelares gjermane, Angela Merkel me diktatorin nazist Hitler.

Orbani tha më tej se ai nuk ka iluzione për mënyrën si do të kalojë të mërkurën seanca plenare për raportin. "Të majtët, liberalët dhe të Gjelbrit do të votojnë kundër Hungarisë." Në dokumentin e hartuar nga eurodeputeti i Gjelbër portugez Rui Tavares, Parlamenti Evropian mbështetet në kritikën e Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, ku bëjnë pjesë juristë kushtetues me emër. Ky organ i ka quajtur pak kohë më parë, ndryshimet e shumta të kushtetutës në Hungari si rrezik për demokracinë. Edhe sikur të shihet vetëm ndryshimi i katërt i kushtetutës në janar, sipas ekspertëve mund të konstatohen 19 pika, të cilat i rrezikojnë parimet bazë të shtetit juridik.

Parlamenti Evropian kërkon mekanizëm mbikqyrës

Me ndryshimin e kushtetutës u kufizuan para së gjithash të drejtat e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, në të ardhmen ky organ mund të verifikojë ligjet jo më nga pikëpamja përmbajtësore, por vetëm nga pikëpamja formale. Veç kësaj, juristët e kushtetutës nuk mund t'i referohen në veprimtarinë e tyre vendimeve të gjykatës të marra para janarit 2012, kur hyri në fuqi kushtetuta. Kufizime të tjera prekin kufizimin e lirisë së mendimit, përkufizimin e familjes etj.

Në raport kërkohet veç kësaj ngritja e një komisioni të përhershëm, i cili duhet të mbikqyrë respektimin e të ashtuquajturave kritere të Kopenhagës të BE për demokraci dhe shtet juridik. Për shtetet që i shkelin në mënyrë të vazhdueshme rregullat mund të vendoset heqja e së drejtës së votës në Këshillin e Ministrave të BE. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Partia Fidesz e Orbanit bën pjesë në Grupin Parlamentar të Partisë Konservatore Evropiane. Deputetët e kësaj partie mbështesin mendimin e Orbanit se shqetësimet për shkeljet e Hungarisë janë të motivuara vetëm politikisht.