Më shumë protesta të mundshme kundër qendrës së emigrantëve
9 Shkurt 2016Kryebashkiaku i Kosit Jorgos Kyritsis i dërgoi një letër kryeministrit grek Alexis Tsipras ku e paralajmëron se kundërshtimet e popullsisë lokale ndaj qendrës së re të regjistrimit të emigrantëve mund të çojnë në protesta të pakontrollueshme. "Ekziston rreziku do të ketë viktima dhe këto do të çojnë në situata të pakontrollueshme", - citon agjencia shtetërore e lajmeve ANA nga ky shkrim.
Paralajmërimi i Kyritsis erdhi pas plagosjes së tre banorëve lokalë gjatë përleshjes me policinë të premten në një kazermë jashtë përdorimit, e cila është zgjedhur si vend për të ndërtuar pikën për refugjatët me ndihmat e BE-së. Në mesin e të lënduarve ishte dhe një gazetar i cili ishte raportuar për protestën, e cila mori përmasa të shëmtuara, kur policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra banorë lokalë. "Rreth 100 persona u përpoqën të hyjnë në objektet në ndërtim e sipër, dhe hodhën gaz lotsjellës," tha një nga zyrtarët e policisë.
Athina fajësoi për protestat një pakicë banorësh të mbështetur nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe u përgjigj duke dërguar trupa policie të specializuar për trazira në ishull, gjë që Kyritsis tha se ishte gabim. "Unë i bëj thirrje kryeministrit të urdhërojë tërheqjen e njësive të policisë speciale për trazirat që të ulet tensioni," shkruan ai në letrën e tij drejtuar Tsipras.
Zemërimi ka të ngjarë të përkeqësohet
Kritika e tij është mbështetur nga një njësi e policisë, e cila u ankua se qe përballur me banorë të zemëruar të ishullit të armatosur me armë gjuetie dhe dinamit. "Deri tani nga sulmet janë plagosur katër nga kolegët tanë", tha sindikata e policisë POASY, një detaj i cili nuk qe bërë deri tani i ditur nga autoritetet.
Zëvendëskryetari i bashkisës së ishullit David Geraskalis i tha agjencisë së lajmeve DPA: "Se pas akteve të dhunës situata këtu është serioze dhe se ka shpërthyer i gjithë ferri." Në brigjet e ishullit Kos arrijnë çdo ditë qindra emigrantë të cilët vijnë përmes bregdetit turk.
Banorët thotë se refugjatët duhet të dërgohen në kontinent, dhe ata sipas zyrtarëve lokalë janë të shqetësuar se fluksi mund të "shkatërrojë" industrinë e turizmit, e cila është burimi kryesor i të ardhurave të ishullit.
Qendra e regjistrimit të refugjatëve është një nga pesë qendrat që qeveria greke ka premtuar të ndërtojë deri në mes të muajit shkurtit, nën presionin e Evropës për të frenuar numrin e emigrantëve që vijnë në Greqi dhe më pas udhëtojnë në veri pa u regjistruar. Ishujt Lesbos, Leros, Samos dhe Chios i pranuan këto plane, kurse autoritetet e ishullit Kos i kundërshtuan ato që në fillim. Sipas njoftimeve punimet për ndërtimin e qendrës në Kos po vazhdojnë pavarësisht protestave.