Kroaci: Dëbime me dhunë të refugjatëve në interes të BE
24 Nëntor 2020Dukej si rutinë mënyra se si ministri i Brendshëm kroat Davor Bozhinoviç iu përgjigj pyetjeve në lidhje me sjelljen e vartësve të tij me migrantët. Në një konferencë shtypi në Zagreb ministri tha se njoftimet mbi veprimet e paligjshme dhe brutale të policisë kroate kundër migrantëve në kufirin kroato-boshnjak nuk janë të vërteta, nuk ka dëshmi dhe janë vetëm pretendime të pabazuara. Božinović pohoi se policia kroate vepron në mënyrë shembullore dhe të pashembullt në Evropë.
Ministri është i sigurtë, se të gjitha akuzat kundër policisë kroate janë pjesë e një fushate të kundërshtarëve të Kroacisë. Ai nuk specifikoi se kush ishin këta kundërshtarë dhe çfarë interesash ndjekin.
Arsyeja e konferencës së shtypit ishte një artikull, i botuar para disa ditësh në revistën gjermane "Der Spiegel". Ai përshkruante në detaje rastin e një migranti, që ishte përpjekur të kalonte kufirin e gjelbër nga Bosnja në Kroaci dhe më pas në Evropën Perëndimore. Ai dhe refugjatët e tjerë ishin kapur disa herë. Sipas rrëfimit të tij policia kroate i kishte keqtrajtuar dhe grabitur, para se t'i kthente përsëri në Bosnjë, gjysmë të zhveshur dhe pa këpucë.
"Kjo përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe rregulloreve të BE," thotë për DW Julija Kranjec, eksperte për çështjet e migrimit në Qendrën për Kërkime të Paqes në Zagreb (CMS). "Të gjithë refugjatët, që arrijnë në territorin e një vendi anëtar të BE-së dhe aplikojnë për azil atje, kanë të drejtën e një ekzaminimi individual të kërkesës së tyre, pra të një procesi individual sipas standardeve të një shteti ligjor." Kjo vlen edhe për ata që vijnë ilegalisht në territorin e BE-së. Dëbimet janë të mundshme vetëm brenda kornizës së një procedure të rregullt. "Ato nuk duhet të bëhen kurrsesi jozyrtarisht", thekson Kranjec.
Raporte të shumta
Raportet mbi veprimin e policisë kroate në kufirin me Bosnjën si ai në "Spiegel" nuk janë diçka e re. Që nga mesi i vitit 2018 ka shumë dëshmi të migrantëve, qindra fotografi që tregojnë shenja abuzimi, deklarata nga mjekë që i kanë trajtuar. Ka raporte nga organizata joqeveritare, lokale dhe ndërkombëtare, si Amnesty International apo Mjekë pa Kufij. Edhe agjencia e OKB për refugjatët UNHCR flet për shtypjen brutale të migrantëve nga policia kroate. Kjo temë është debatuar edhe në Parlamentin Evropian. Asgjë nuk ka ndryshuar.
Rruga e re ballkanike
Meqenëse rruga e vjetër ballkanike, përmes së cilës në 2015 erdhën në Evropë rreth një milionë refugjatë, u mbyll me tela me gjemba në kufirin hungaro-serb dhe hungaro-kroat, mijëra migrantë përdornin "rrugën e re ballkanike" përmes Bosnjë-Hercegovinës në Kroaci dhe që andej për në vendet më të pasura të Evropës Perëndimore. Meqenëse kufiri është i vështirë për t'u kaluar, ata qëndrojnë në kampe të improvizuara në anën boshnjake duke pritur rastin për të kaluar në Kroaci.
Aktualisht në zonën kufitare boshnjake ka rreth 8.000-9.000 refugjatë, kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe Siria. Atmosfera fillestare mikpritëse e popullatës lokale ndaj refugjatëve është shndërruar prej kohësh në një pakënaqësi të madhe. Banorët raportojnë për vjedhje nga ana e migrantëve ose ata bëhen dëshmitarë të konflikteve të dhunshme midis grupeve të refugjatëve. Shumë vendas flasin për "kushte të padurueshme" dhe protestojnë kundër kampeve zyrtare dhe jozyrtare të refugjatëve.
Gjithçka për "Shengenin"
"Qëllimi kryesor i politikës së jashtme kroate është pranimi në zonën Shengen," thotë Julija Kranjec. Për këtë vend anëtar të BE që nga viti 2013 kjo do të thotë përfundimi i integrimit në BE. Që të pranohet në zonën Shengen Kroacia duhet të tregojë se është në gjendje dhe e gatshme të mbrojë në mënyrë efektive kufirin e saj të jashtëm evropian, në rradhë të parë kundër fluksit të migrantëve. Vitin e kaluar presidentja e atëhershme kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç pranoi pa kujdes para gazetarëve të televizivionit zviceran SRF, se "natyrisht që ndonjë dhunë e vogël është e nevojshme, kur kryhen pushbacks në këtë terren të vështirë".
Në marrëveshje me BE
"Kroacia vepron nën presionin e vendeve të tjera të BE", thotë për DW eurodeputeti i të Gjelbërve, Erik Marquardt. "Ekziston një marrëveshje e ngushtë mes vendeve të BE për këtë çështje. Duket se ka presion politik nga Komisioni i BE ose nga disa vende anëtare të BE për të mos iu përmbajtur të drejtave të njeriut në këtë rast." Sipas Marquardt, kjo mund të shihet edhe në faktin se "negociatat për pranimin e Kroacisë në zonën Shengen filluan vetëm, pasi vendi filloi të refuzonte sistematikisht refugjatët në kufi, të përdorte dhunë dhe t'i kthente." Sipas politikanit evropian është absurde dhe e papranueshme, që të mund të ecësh përpara vetëm, nëse shkel ligjet në fuqi. Në Parlamentin Evropian janë zhvilluar ndërkohë disa debate mbi praktikën në kufijtë e jashtëm të BE-së. "Ekziston një konsensus i gjerë se shkeljet e të drejtave të njeriut janë të papranueshme", thotë Marquardt.
Çështja do të hetohet nga avokati i popullit të BE
Edhe avokatja e Popullit të BE Emily O'Reilly ka njoftuar një hetim mbi dështimin e pretenduar të Komisionit Evropian për të mbrojtur të drejtat e migrantëve në kufirin kroat. Nëse kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë kroate për të ndryshuar praktikën e saj në kufi, mbetet për t'u parë. Ndërkohë çështja e kontrolleve kufitare ka marrë rëndësi. Kohët e fundit Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron bënë thirrje për përmirësimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE në luftën kundër terrorizmit. Përvoja e deritanishme tregon se Kroacia është e gatshme për këtë detyrë.