1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza greke - FMN-ja ofron asistencë por gjendja mbetet e zymtë

7 Prill 2010

Tregjet financiare ende nuk kanë besim tek Greqia që vazhdon të kreditohet me kosto të lartë. Interesi për obligacionet greke arriti të martën pragun prej 7 për qind.

https://p.dw.com/p/Mp8Z
Pamje simbolike: ndihmë financiare për Greqinë.
Fotografi: DW-Montage/bilderbox.de

Ekspertë të FMN-së në Athinë për asistencë teknike

Nga e mërkura (7.4.) për 10 ditë me radhë dy ekipe ekspertësh të FMN-së do të qëndrojnë në Athinë për të ofruar asistencë teknike në lidhje me sistemin fiskal dhe buxhetin. Gjysmën e dytë të muajit prill pritet një ekip miks i Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së që do të shqyrtojë me imtësi ekonominë greke dhe ecurinë e programit qeveritar në prag të testit të parë serioz të 16 majit nga Komisioni Evropian.

“Edhe pse kanë kaluar 5 vjet që nga vizita e fundit analoge e FMN -së në Greqi asgjë nuk ka ndryshuar pas rekomandimeve të tij të shumta”, - thotë eksperti i çështjeve ekonomike Jorgos Papus dhe sjell si shembull dyfishimin e borxheve të pavjela nga 18 në 30 miliardë euro sot.

Tregjet financiare nuk i japin “votëbesimin” e tyre ekonomisë greke

Pamje nga bursa e Nju Jorkut.
Tregjet e kapitalit nuk janë bindur nga programi i qeverisë greke - borxhi mbetet i shtrenjtë.Fotografi: AP

Kjo në një kohë që klima rreth ekonomisë greke vazhdon të mbetet e nderë. Tregjet financiare refuzojnë t'i japin “votëbesimin” e tyre dhe vazhdojnë ta kreditojnë me interes shumë të lartë. Të martën (6.4.) "spread" ose ndryshe diferenca e obligacionit 10-vjeçar grek nga ai gjerman, arriti në 6.82 % ose 0.26% më shumë që nga data 1 shkurt. Siguracioni për 10 milionë euro i borxhit grek arriti në 354.000 euro, pasi i ashtuquajturi credit default swap (CDS) u rrit në 354 pikë nga 347 që ishte më 2 prill. A mund të vazhdohet me këtë kosto kreditimi kur vetëm brenda muajit maj i duhen vendit 11.6 miliardë euro të tjera dhe për gjithë 2010-en 54 miliardë euro?

Ε vërteta është se po të besojmë dhe kryeministrin grek kjo gjendje nuk mund të vazhdojë. Një nga çështjet bazë që kishte shtruar kur filloi ky diskutim në Evropë ishte se shteti grek nuk mund të vazhdojë të kreditohet kaq shtrenjtë”, - thotë për DW analisti grek Janis Angjelis, i cili shton se “me gjithë masat e marra gjëndja u kthye në nivelet e mëparshme” të para samitit evropian. Angjelis ka një qasje realiste dhe për mundësinë e aktivizimit nga Athina të “mekanizmit të mbrojtjes evropiane”, që e la të hapur për herë të parë edhe nënkryetari i qeverisë Pangallos.

“E vërteta është, me sa duket, se në qoftë se gjërat nuk përkeqësohen edhe më shumë, shteti grek do të orvatet të kreditohet me kamatat e shtrenjta aktuale” - shpjegon Angjelis. Kjo ka sipas tij dy arsye të tjera: midis Komisionit Evropian dhe FMN-së nuk janë sqaruar akoma kushtet e aktivizimit të mekanizmit dhe normat e interesit sipas vendimit nuk do të jenë të subvencionuara, do të jenë pra po ato të tregut.

Greva kundër programit të kursimeve - kriza ekonomike shoqërohet me tensione sociale
Greva kundër programit të kursimeve - kriza ekonomike shoqërohet me tensione socialeFotografi: AP

Pezullimi i pagesave mbetet mundësi e hapur

I ka shpëtuar apo jo makthit të falimentimit ekonomia greke? Kjo pyetje shtrohet në Greqi ku implikimi direkt i FMN-së me paketën e tij të masave të rrepta jo vetëm që nuk preferohet por shihet si shkas për tensione sociale.

“Rreziku do të mund të përcaktohej si një eventualitet i pezullimit të pagesave, pasi shteti nuk ka në arkat e tij para të mjatueshme për pensionet, pagat dhe nevojat e tjera korrente. Deri në këto momente mund të themi se një rrezik i tillë nuk është imediat, por mund të shfaqet vetëm nga fundi i muajit tjetër, kur duhet të shlyhen detyrime që skadojnë brenda majit dhe që kalojnë cakun e 10 miliardë eurove” - thotë Angjelis.

Eksperti grek ndryshimin e klimës ekonomike e kushtëzon me zbatimin e programit qeveritar të zhvillimit të ekonomisë, por nuk fsheh njëkohësisht dhe shqetësimin e tij: “Çështja ështe nga do të financohet një program i tillë. Bankat nuk tregohen të gatshme për të paguar nga xhepi i tyre, duke shtuar kështu edhe kuotën e pasigurisë së tyre që të vazhdojë aktiviteti ekonomik në sektorin privat. Për pasojë, gjërat janë mjaft të vështira dhe në këtë aspekt. Të mira janë premisat por këto janë gjëra që duan edhe kohën e tyre që të materializohen”.

Qeveria luan tani “kartën” e programit të zhvillimit

Te programi i zhvillimit zhvendos gravitetin e përpjekjeve të saj edhe qeveria. “Përgjigja që mund të japë vendi është vetëm një: zhvillimi. Janë mekanizmat e zhvillimit: ndryshimet strukturore, liberalizimi i profesioneve, programi i privatizimeve, sistemi i siguracionit, sistemi fiskal, ndryshimi i buxhetit” - thotë ministri i Financave Jorgos Papakonstandinu. Ai pranon se “dinamika e borxhit është e rrezikshme” dhe analistët me të drejtë shtrojnë pyetjen se si vendi do ia dalë mbanë vitet që vijnë. Ministri parashikon “oshilacione kreditimi deri në maj” dhe vetëm më pas “qetësim të situatës”. “Përgjigja është e qartë dhe është jo” - ishte përgënjestrimi kategorik i tij ndaj mundësisës së aktivizimit të “mekanizmit evropian”, që thuhet se solli rritjen e normave të interesit. Rëndësia e këtij mekanizmi, sipas tij, është se “përjashton eventualitetin që Greqia të gjendet një ditë para qorrsokaku absolut”. Sipas analistit Angjeli një gjë është e sigurt: Kalvari do të vazhdojë pa sinjale se kur do të mbarojë!

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Eliana Xhani