1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika pas largimit të Austrisë nga pakti i migrimit të OKB

1 Nëntor 2018

Tërheqja e Austrisë nga pakti i OKB-së për migracionin ka shkaktuar reagime dhe kritika ndërkombëtare. Edhe qeveria gjermane nuk e mirëpret këtë hap, por partia populiste AfD ndjehet e konfirmuar.

https://p.dw.com/p/37VT4
Griechenland Lesbos Flüchtlinge an Zaun / Protest vor Rückführung in Türkei
Fotografi: Reuters/G. Moutafis

Ministria e Jashtme në Berlin ka reaguar pas tërheqjes së Austrisë nga pakti i OKB-së për migracionin. Pikërisht për të kontrolluar e sjellë në rrugën e duhur migracionin, ky pakt është i nevojshëm, theksoi Ministria e Jashtme në Berlin. "Prandaj shprehim keqardhjen, kur shtete të ndryshme, e sidomos partnerë tanë të ngushtë nuk duan të jenë pjesë e paktit", thuhet në deklaratën gjermane. Edhe Komisioni Europian ka reaguar pas vendimit të Austrisë. "Ne besojmë edhe më tej, se migracioni është një sfidë globale e tek rezultatet të çojnë vetëm zgjidhje globale dhe shpërndarja e barrës."

Sebastian Kurz
Sebastian KurzFotografi: Imago/Pacific Press Agency

Prioritet sovraniteti

Pas SHBA-së, Australisë, Hungarisë tani edhe Austria i ktheu kurrizin paktit të OKB-së për migrimin. Koalicioni konservator i ÖVP-së dhe FPÖ-së u shpreh se nuk do ta nënshkruajë paktin. Vendimi është i rëndësishëm për të ruajtur sovranitetin kombëtar, u shpreh, kancelari austriak, Sebastian Kurz. Marrëveshjen e kemi parë me vëmendje dhe "disa pika ne i refuzojmë, sepse përziejnë migrimin me azilin", tha Kurz. Lëvdata për këtë vendim të Austrisë vijnë nga partia e ekstremit të djathtë, AfD në Gjermani. "Kush hyn në të ardhmen në Austri e vendosin vetë austriakët", u shpreh kreu i partisë AfD, Jörg Meuthen.

Pakti i OKB-së për migracionin, pakti i parë i inicuar nga OKB si "pakt botëror për migracion të rregulluar, të kontrolluar e të sigurtë" do të duhet të miratohet në një konferencë ndërkombëtare në Marok në dhjetor. Ai përmban udhëzime orientuese dhe 20 masa konkrete, zbatimi i të cilave nuk është detyrues. Bëhet fjalë për një bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar për të përmirësuar politikën e migracionit dhe standartet në mënyrën e veprimit me refugjatët.

la((afp, dpa, rtr)