1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krishtlindjet në Kosovë - Kremtim në frymën e tolerancës ndërfetare

Ajete Beqiraj25 Dhjetor 2012

Katolikët e myslimanët në fshatin Papiq e kanë traditë nga parardhësit e tyre festimin bashkarisht të festave fetare.

https://p.dw.com/p/178kY
Fotografi: victoria p./Fotolia

Natë Krishtlindjeje. Një rrugë e veshur pjesërisht me borë e ngricë, çon në Papiq, një fshat i vogël në perëndim të Kosovës i banuar nga 25 familje të komuniteteve katolikë e myslimane. Nga shtëpitë e stolisua me drita duket që nga larg se familjet brenda tyre sonte kanë festë . Njëra ndër to edhe familja Berisha, me të hyrë në oborrin e së cilës të pret me të lehura qeni i shtëpisë . Brenda, pritja e ngrohtë . Atmosferë festive në çdo kënd. Zonja e shtëpisë ,Maria 55 vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, tashmë ka bërë përgatitjet dhe është në pritje të meshës në kishën e fshatit. "Po, jemi përgatit me t´gjitha të mirat e Zotit", thotë ajo dhe tregon, se mirëpresin edhe fqinjët myslimanë, të cilët i konsiderojnë si njerëz të familjes.

Pritje e festave bashkë

Dhe pritja e festave të tyre së bashku me fqinjët myslimanë është gjëja më e zakonshme në fshain e tyre, thotë kryefamiljari, Mikeli. "I presim mirë e bukur me gëzime e dashuri dhe i urojmë njëri-tjetrit si Krishtlindjen e Pashkën ashtu edhe dy Bajramat. Të gjitha i kremtojmë bashkë ", thotë Mikeli.

Ramë Gashi, fqinji mysliman, 53 vjeçar, baba i tre femijëve, i cili jeton as 300 metra larg tyre, tashmë ka ardhur që për festën e Krishtlindjeve të ngrejë dollinë me një gotë raki me fqinjin e tij katolik. "Jemi si me që në vllazni. Jetojmë bashkë, punojmë bashkë, ndihmojmë shoqi-shojin në çdo rast", thotë Rama, fqinji mysliman, duke shtuar se ata të gjitha festat i kremtojnë së bashku.

Weihnachten im Kosovo
Familja katolike Berisha dhe familja myslimane Gashi festojnë së bashkuFotografi: DW/A. Beqiraj

Komuniteti në Kosovë kundër përçarjeve mbi baza fetare

Në kë të fshat të banuar nga katolikë e myslimanë është ruajtur feja falë respektit ndaj bindjeve fetare të njëri-tjetrit dhe tolerancës tradicionale ndër fetare . Mikeli thotë, se këtë traditë e kanë trashëguar nga parardhësit e tyre: "T´parët tanë e kanë ruajtur fenë katolike falë mirëkuptimit të myslimanëvë. Në familjen tonë, gjysma janë ba myslimanë e gjysma kanë mbetë katolikë."

Ramë Gashi, mysliman, do të dë shironte që toleranca ndërfetare në Kosovë të shërbejë si shembull për popujt tjerë në botë . "Jemi vëllezër të një gjaku, të një feje, të një kombi, të një kulture dhe të gjithë besojmë në një Zot".

Në Kosovë do të kremtohet përvjetori i "Ediktit të Milanos"

"Pas gëzimit në festimet e shumta të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe daljes së popullit tonë nga sundimi shumëshekullor i Perandorisë Osmane, vazhdojmë përvojën e gëzimit të festës së përvjetshme të Kërshëndellave", tha ndër të tjera Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji në mesazhin drejtuar besimtarëve të krishterë. Ndërsa, në meshë n kryesore të Krishtlindjeve në mesnatë të mbajtur në Prizren, Ipeshkvi Dode Gjergji theksoi, se është aftësia për të falur ajo që i miqëson njerëzit e jo mohimi i së vërtetës ose mbulesa e së keqes me petkun e harresës. "Kisha, duke iu bindur ungjillit dhe dashurisë së vërtetë dhe të drejtë dëshiron të rindezë në zemrat e njerëzvve vullnetmirë ndjenjën e paqes, të pajtimit, të faljes që shpije në miqësi të reja ndërmjet popujve."

Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se Kisha dhe populli në Kosovë do të festojnë edhe përvjetorin e 1700-të të Ediktit të Milanos, ku zë fill edhe toleranca ndërfetare dhe me të cilin për herë të parë në historinë e qytetërimit evropian zyrtarizohet barazia dhe bashkëjetesa e besimeve të ndryshme fetare.