1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krishtlindjet nuk njohin dallime!

Suzanne Cords24 Dhjetor 2005

Festa e Krishlindjeve, dritat dhe shkëlqimi i të gjitha shitoreve, nuk mund të mos shihen. Festa e Krishtlindjeve dhe dhuratat nuk janë vetëm të zemrat e fëmijëve të krishterë, por edhe të fëmijëve të besimeve tjera. Kjo më së miri shihet në kopshte për fëmijë.

https://p.dw.com/p/AsH5
Fotografi: dpa

Plot me emocione, pesëvjeçari Ecem këndon këngën e bredhit të Krishtlindjeve. Tekstin e plotë ende nuk e di, por i ka mbetur edhe pak kohë deri në ceremoninë festive. Në këtë kopsht, rregullisht ushtrohen këngë të krishtlindjeve. Kushërira e Ecemit, Melda është shtatë vjeçare. Me plot dinjitet ajo shpjegon rolin e saj në një shfaqje teatri. "Kemi pasur një shfaqje, ku unë kisha rolin e engjëllit Gabriel. Kam pasur edhe dy krahë, kështu si engjëll. Aty ka pasur edhe tre burra me dele. Unë duhet të thosha: mos keni frikë, sepse pastaj duhet të shkoni te krishti. Pastaj kemi kënduar edhe disa këngë".


Ecemi dhe Melda janë të përkatësisë kombëtare turke. Prej prindërve edukohen në frymën e fesë islame. Mirëpo në kopsht i mësojnë të gjitha për festën e Krishtlindjeve. Ndërsa fëmijët gjermanë mësojnë se në fund të muajit të ramazanit vie festa e Bajramit. Fjala kryesore këtu është edukimi interkulturor. Është kjo një sfidë e posaçme, sepse rreth 50 përqind e fëmijëve kohët e fundit në kopshte vijnë prej familjeve jo gjermane. Shumica prej tyre janë turq.

Qytetet kanë hartuar kornizën e kopshteve ku ata edukohen në frymën e kulturave të ndryshme në botë. Edukatoret duhet të kenë shumë njohuri, në radhë të parë për çështjen e feve të ndryshme. Në planet mësimore janë feja e krishterë dhe islame. Festohen Krishtlindjet por edhe Bajrami, por nuk ka lutje fetare. Mishi i derrit është hequr nga menyja e drekës për fëmijë. Vetëm për prindërit në festa të ndryshme, mund të ketë këso lloj ushqimesh. Megjithë dallimet e mëdha, gjenerata e dytë e truqëve në Gjermani gjithnjë e më shumë përqafon festat e të krishterëve.
Nëna e Ecemit, Nuran Kançok thotë se festimi i Krishtlindjeve është bërë traditë edhe në familjen e tyre. "Fëmijët dhe unë mendojmë se është festë e bukur. Fëmijët shkojnë në kopshte dhe shkolla gjermane. Mendoj se është shumë me rëndësi që edhe fëmijët tanë të jenë të informuar. Ne të gjithë së bashku vizitojmë tregun e Krishtlindjeve. Për fëmijët është shumë me rëndësi që të kenë edhe kalendaret dhe natyrisht bredhin e Krishtlindjeve. Edhe unë mendoj se një bredh i stolisur mirë zbukuron banesën dhe i jep një erë të këndëshme. Ne këndojmë së bashku edhe në shtëpi. I di të gjitha këngët e fëmijërisë. Natyrisht që përgatisim edhe shumë ëmbëlsira. Për Krishtlindje ka edhe dhurata për fëmijë. Ulemi të gjithë së bashku, hamë mirë dhe organizojmë një mbrëmje shumë të këndëshme."


Futja në shtëpi e bredhit të Krishtëlindjeve, në këtë familje ka një traditë 30 vjeçare.
"Prindërit e mi gjithmonë vendosnin një bredh dhe një dhuratë nën të. Që edhe unë të gëzohesha. Por kjo ishte vetëm simbolikë dhe jo traditë fetare. Më pas në kopsht apo në shkollë edhe unë mund të tregoja se çfarë dhuratash kam marrë për Krishtlindje."
Është pra kjo gjenerata e dytë e kësaj familje e cila feston Krishtlindjet. Udhëheqësi i një kopshti katolik në Këln, Irmhild Volmer flet për festimet e përbashkëta.
"Besoj se ndarja në "ne" dhe "ju" nuk ekziston fare. Për fëmijët vlenë vetëm një rregull: ne kemi Krishtlindjet. Familjet i festojnë ato në shenjë dashurie ndaj fëmijëve, edhe pse nuk janë në traditën e fesë së tyre. Fëmijët marrin pjesë në të gjitha aktivitetet që organizojmë. Seriozisht këto gjëra i kuptojnë edhe prindërit. Në festat e Krishtlindjeve vijnë edhe nënat turke dhe këndojnë së bashku me ne. Vendi i vetëm ku ata ndahen është shkuarja në kishë."

Fëmijët e të gjitha feve së bashku bëjnë ëmbëlsira dhe këndojnë për festën. Pasi që të gjitha gjërat i kanë mësuar së bashku, është krejt e natyrshme që edhe Melda e vogël i di dallimet mes festës së Shën Nikollës dhe Krishlindjeve. "Unë e vendos një këpucë para derës dhe Shën Nikolla sjellë çokolata. Ndërsa Babadimri sjellë dhurata të tjera."