Problemet e Maqedonisë dhe Greqisë sipas deputetëve gjermanë
23 Janar 2014Nga lideri në procesin e pranimit në BE nga vendet në rajon para 15 viteve, Maqedonia për shkak të kontestit me emrin me Greqinë, mbeti në bisht. Ose thënë më qartë: e vetmuar, pa përkrahje faktike nga ndonjë anëtare e familjes evropjane dhe pa shpresa të mëdha për tejkalimin e problemit me Greqinë që të merret data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kjo përmbledhje e shkurtër e realitetit politik maqedonas është e njohur për të gjithë, por askush - as në BE, as në Gjermani, nuk ka ndër mend që të angazhohet seriozisht dhe të ndihmojë në tejkalimin e problemit dhe zhbllokimin e procesit për anëtarësim. DW pyeti Gynter Krichbaumin, njeriun e parë të Komisionit për çëshjte evropjane në Bundestag : A duhet dhe a mundet që Maqedonia për shkak të kontestit të emrit të presë pa fund?
“Që nga viti 2002 jam anëtar i Komisionit për çështje evropjane në Bundestag dhe që atëherë nuk është arritur ndonjë përparim në kontestin për emrin. Në BE këtë konflikt e shikojmë në mënyrë shumë të qetë sikurse ajo të jetë diçka natyrore. Kjo në asnjë rast nuk duhet të jetë kështu dhe si të tillë ne nuk duhet ta pranojmë. Në një mosmarrëveshtje kaq të gjatë, gjithsesi dy frontet kanë ngecur dhe akuzat e ndërsjellta prej viti në vit janë në rritje. Edhe Maqedonia ka kontribuar në këtë drejtim - për shembull me emërimin e aeroportit të kryeqytetit me emrin Aleksandri i Madh. Por, në këtë situatë ka kontribuar edhe partneri ynë nga BE dhe NATO, Greqia, e cila për arsye të brendshme politike me vite e bllokon pajtueshmërinë “ , thekson demomokristiani Gunter Krichbaum, i cili në vitin 2007 për herë të parë u zgjodh në krye të Komisionit për çështje evropjane në Bundestag, ndërsa besueshmeria iu dha javën e kaluar edhe për katër vitet në vijim.
Bllokadat bilaterale janë të papranueshme
Legjislacioni gjerman kërkon që çdo çështje që është e lidhur me zgjerimin e BE-së të shqyrtohet e më pas të marr vizë nga Bundestagu. Ndaj ndikimi i Komisionit për çështje evropjane është tejet i rëndësishëm, në të cilin si në asnjë institucion në Berlin, në vitet e kaluara është diskutuar për Ballkanin perendimor, zgjerimin, por edhe për kontestin e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. A mundet Komisioni për çështje evropjane i Bundestagut të kontribuojë në zhbllokimin e eurointegrimeve të Maqedonisë ?
“Ështe e qartë se Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e BE-s pa pajtueshmërinë e të gjitha anëtarëve. Greqia mban një veto faktike. Disa herë deri më tani në procesin e zgjerimit kemi patur situata në të cilat ndonjë vend anëtar i BE-së, për shkak të çështjeve bilaterale, ka vonuar pranimin e vendit fqinj. Rast i fundit ishte me Kroacinë. Këtë nuk duhet ta pranojmë. Për këtë kam folur në Bundestag javën e kaluar. Konkretisht nga qeveria federale kam kërkuar të jetë më aktive dhe këtë bllokadë duhet sa me shpejt ta zhbllokojmë. Për këtë, Komisioni për çështje evropjane ka interes të madh”, thekson për DW Gynter Krichbaum.
Të lëvizet nga vendi
Josip Juratoviç, deputet nga rradhët e socialdemokratëve në Komisionin për politikë të jashtme në Bundestag vlerëson se në rajon, dukë përfshirë edhe Maqedoninë, në shumë çështje nuk po shkohet përpara. E thekson kontestin me Greqinë për emrin, i cili është keq i ngatërruar, duke rikujtuar se BE nuk dëshiron që kontestet e pazgjidhura ti fusë në hapsirën e vet, ndaj insiston në zgjidhjen e tyre para fillimit të negociatave për anëtarësim.
“Sigurisht se në interes të BE-së është lëvizja nga vendqëndrimi edhe për çështjen e emrit. Mosmarrëveshja njëzetvjeçare për emrin me Greqinë është me të vërtetë shumë, edhe pse edhe një herë theksoj - se problemi kryesor i Maqedonisë nuk është vetëm kontesti me emrin. Ka edhe probleme të mbrendëshme që duhet të tejkalohen. Do të kisha përmendur vetëm lirinë e medias dhe papunësinë tek të rinjët që janë vetëm një segment nga spektri i gjërë. Por, gjithsesi çështja e emrit duhet patjetër të zgjidhet. Kishte, sa për të rikujtuar, aq shumë mosmarrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës dhe ja tani u lëviz përpara, që është mirë për të dyja palët. Sipas meje Maqedonisë gjithësesi i duhet një përkrahje nga jashtë, por disa gjëra duhet të pastrohen edhe nga brenda, sepse unë mendoj se nuk po punohet në keto procese”, thekson për DW socialdemokrati Josip Juratoviç.
Heshtja e forcave nacionaliste
Anëtari i Komisionit për çështje evropjane i grupit të deputetëve të së Majtës, që është parti e madhe në Bundestag, Andrej Hunko thotë për DW: “Maqedonia është vend evropjan dhe gjithësesi për të dyert e BE-së janë të hapura. Edhe për Maqedoninë vlejnë kriteret politike dhe ekonomike të Kopenhagës, edhe pse e Majta, vend të veçantë i jep shtetit juridik, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thotë Hunko. Sipas tij, për shkak të zgjedhjeve dhe përbërjes së re, Bundestagu, konkretisht Komisioni për çëshje evropjane nuk ka punuar me kapacitet të plotë dhe ka patur një pauzë shtatë muajshe.
“Do të angazhohemi patjetër që Maqedonia në mënyrë të barabartë të jetë e përfaqësuar dhe çështja të tematizohet dhe diskutohet në Komisionin për çështje evropjane. Por, në fund përsëri mbetet problemi i zgjidhjes së çështjes së emrit “, thekson Andrej Hunko, sipas të cilit të dyja palët e involvuara në kontest duhet të bëjnë lëvizje. Vlerësimet e tija shkojnë në atë drejtim që zgjidhja e çështjes së emrit të jetë në një fazë të hershme të negociatave për anëtarësim, në kohën kur do të punohet në kapitujt për drejtësinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
“Ne si majtistë, ndërkombëtarisht jemi të orientuar dhe dëshirojmë që forcat nacionaliste të lëshojnë pe. Në Ballkan edhe pas dy dekadave ka konflikte. Kjo duhet të tejkalohet. Vlerësoj se në Greqi, partitë e majta duhet të ishin më të lëvizshme, më të moderuara, se sa partia në pushtet, Demokracia e Re ose partitë e djathta, kur është fjala për kontestin e emrit. Por, problem ka edhe në Maqedoni. Kur i shikoj sinjalet që i dërgon projekti Shkupi 2014, politika nacionaliste e simboleve gjithsesi rezulton edhe me reagime nga Greqia. Do të ishte mirë që në mbarë rajonin, jo vetëm në Maqedoni dhe Greqi, por edhe në Bullgari, këto forca nacionaliste të qetësohen" , thekson për DW Andrej Hunko nga blloku majtist në Bundestag.