Kramp-Karrenbauer vlerëson ushtarakët e Afganistanit
22 Shtator 2021Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer e vlerësoi lart para rreth 400 ushtarëve misionin gati 20 vjeçar të ushtrisë gjermane në Afganistan. Ajo e mbrojti misionin. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të bëhet një vlerësim "hapur dhe me ndershmëri" pas përfundimit të këtij misioni, tha politikania e CDU-së në një apel për pjesëmarrësit e misionit të evakuimit nga Kabuli. Në ceremoninë në kazermën e parashutistëve në Seedorf në Saksoninë e Poshtme mori pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
"Misioni në Afganistan ishte i drejtë," tha Kramp-Karrenbaueri. Ish -ministri i mbrojtjes i SPD Peter Struck kishte të drejtë që siguria e Gjermanisë ishte mbrojtur edhe në Hindukush. "Ishte e rëndësishme për sigurinë tonë që Afganistani të mos mbetet një strehë e sigurt për terrorizmin islamik," tha ministrja. Në të njëjtën kohë, duhet të zhvillohen nga përvoja "objektiva realistë për misionet e ardhshme".
Dekorime për ushtarakët
Kramp-Karrenbaueri falënderoi ushtarakët e përfshirë për angazhimin e tyre. Rrethanat kishin qenë ekstreme, presioni politik i lartë. Ajo theksoi se ushtarët mund të ishin krenarë për misionin e rrezikshëm të evakuimit që kishin kryer me sukses: "5347 njerëz kanë një shans për një të ardhme të sigurt dhe më të mirë në sajë të këtij misioni." Ajo gjithashtu përshkroi rolin e rëndësishëm të ushtrisë gjermane në shoqëri. Është një pjesë e rëndësishme e besimit ndaj Gjermanisë në botë, tha ajo.
Në emër të të gjithë të përfshirëve në mision, kancelarja Merkel u dha disa prej ushtarëve medaljen e misionit. Në betimin ceremonial morën pjesë më shumë se 400 pjesëtarë të Bundeswehrit.
Pas sulmeve terroriste në SHBA më 11 shtator 2001, Gjermania mori pjesë si aleate në operacionet e drejtuara nga NATO-ja në Afganistan. Kur amerikanët u tërhoqën këtë verë, megjithatë, kontrolli i Afganistanit kaloi shpejt në duart e talibanëve militantë islamikë.
Për të shpëtuar të huajt dhe personelin afgan, Bundeswehr krijoi një transport ajror për njëmbëdhjetë ditë në gusht. Më shumë se 5.300 vetë që kishin nevojë për mbrojtje u dërguan nga Kabuli në Tashkent në Uzbekistan.
aud (dpa, tgsch)