1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kramp-Karrenbauer: Pa SHBA nuk bëhet

Nina Werkhäuser
18 Nëntor 2020

Nën Presidentin e SHBA Trump shpesh kishte tensione në marrëdhëniet gjermano-amerikane. Megjithatë, aleanca me SHBA është aq e rëndësishme sa kurrë më parë, theksoi Ministrja i Mbrojtjes Kramp-Karrenbauer në një fjalim.

https://p.dw.com/p/3lSh9
Deutschland Berlin Grundsatzrede Annegret Kramp-Karrenbauer
Fotografi: Sebastian Wilke/Bundeswehr

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer është befasuar vitet e fundit nga kritikat e ashpra të Donald Trumpit ndaj Gjermanisë. Megjithatë, ministrja e CDU-së nuk lejon që të cënohet marrëdhënia transatlantike: SHBA vazhdon të jetë aleatja më e rëndësishme e Gjermanisë, theksoi ajo në një fjalë përshëndetëse para studentëve në Universitetin e Forcave të Armatosura Federale në Hamburg. "Pa aftësitë bërthamore dhe konvencionale të Amerikës, Gjermania dhe Evropa nuk mund të mbrojnë veten e tyre." SHBA mbulojnë rreth 75 përqind të të gjitha aftësive ushtarake të NATO-s, të cilat Gjermania nuk mund t'i zëvendësojë, tha ajo.

"Jo të mbrojtur nevojtarë"

Për Kramp-Karrenbauer kjo do të thotë njëkohësisht se Gjermania dhe Evropa nuk duhet të rehatohen nën ombrellën mbrojtëse të SHBA: Evropa duhet të jetë një partnere e fortë në kushte të barabarta për SHBA "dhe jo një e mbrojtur nevojtare", theksoi ajo. Sidoqoftë, kjo mund të funksionojë vetëm nëse, në të ardhmen, evropianët "bëjnë më shumë nga ato që kanë bërë për ne amerikanët deri tani".

Pikërisht këtë kishte kërkuar Presidenti i SHBA Donald Trump me vendosmëri: një vend i pasur si Gjermania duhet të investojë më shumë para në forcat e saj të armatosura dhe pajisjet ushtarake. Megjithë rritjen e qëndrueshme në buxhetin gjerman të mbrojtjes, Trumpi iu përmbajt kritikave të tij.

Gjermania është ende larg nga premtimi i qeverisë gjermane për të shpenzuar dy përqind të produktit të saj të brendshëm bruto për mbrojtjen në një periudhë afatmesme. Ndër të tjera, Trump e shfryu zemërimin e tij ndaj qeverisë gjermane duke njoftuar në verë tërheqjen e 12.000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania.

Frankreich Präsident Macron | Rede an die Nation
Macron kërkon një Europë më sovrane ndaj SHBAFotografi: Sébastien Muylaert/MAXPPP/dpa/picture alliance

Refuzim i Francës

Qeveria gjermane pret që Presidenti i ardhshëm i SHBA, Demokrati Joe Biden, të përdorë një ton më pajtues, por jo që të ndryshojë kursin për këtë çështje. Në mënyrë që të merret seriozisht nga SHBA, Evropa duhet të zhvillojë më tej aftësitë e saj ushtarake, kërkoi Kramp-Karrenbauer.

Ndryshe nga Presidenti francez Emmanuel Macron, megjithatë, ajo nuk ëndërron për një Evropë që është sovrane për sa i përket politikës së sigurisë dhe, që në mënyrë ideale, të mbrojë veten me ushtrinë e saj. Macroni së fundmi u ankua në një intervistë se Evropa gjithmonë kishte përcaktuar marrëdhëniet e saj gjeopolitike vetëm përmes NATO-s.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes nënvizoi përkundrazi se ideja e një autonomie strategjike për Evropën shkon shumë larg "nëse ajo ushqen iluzionin se ne mund të garantojmë siguri, stabilitet dhe mirëqënie në Evropë pa NATO-n dhe pa SHBA". Një forcë e veçantë e armatosur evropiane është "një vizion midis shumë të tjerëve", tha ajo duke i kundërshtuar ambiciet e Macronit.

Një "marrëveshje e re" me Joe Biden

Si po përgatitet Gjermania për ndryshimin e pushtetit në SHBA për sa i përket politikës së sigurisë? Kramp-Karrenbauer mbështet propozimin për një "marrëveshjeje të re" me Presidentin e ardhshëm të SHBA Joe Biden. Tre parime bazë janë të rëndësishme për të: nga njëra anë, zgjerimi i aftësive mbrojtëse, pavarësisht nga vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia e Coronas. Përveç kësaj, një mbështetje nga Gjermania për të ndarë armët bërthamore të NATO-s, domethënë, vendosjen e armëve bërthamore të SHBA në territorin gjerman. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, një agjendë e përbashkët për Evropën dhe SHBA ndaj Kinës, e cila vazhdon të zgjerojë sferën e saj të ndikimit me mjete ushtarake.

Europa Pilatus PC-12/45 bei Eurofighter Evaluation in Emmen
Sisteme europiane armësh preferohen nga Gjermania, si EurofighterFotografi: picture-alliance/imageBROKER/A. Hauke

Armë evropiane për ushtrinë gjermane

Në fjalimin e saj, Kramp-Karrenbaueri specifikoi edhe se cilat sisteme armësh do të dëshironte të prokuronte për Bundeswehr-in: avionin luftarak evropian Eurofighter, helikopterin e transportit NH90 dhe Eurodronin. Eurodroni është një dron luftarak që Gjermania dëshiron të zhvillojë së bashku me partnerët evropianë në vitet e ardhshme.

Ajo refuzoi çdo kërkesë të mëtejshme për blerjen e armatimeve të shtrenjta. Kjo do të ishte në kurriz të operacioneve bazë të Bundeswehrit, i cili ende vuan nga masat shtrënguese të së kaluarës. "Bundeswehri e ka bërë këtë gabim në dekadat e fundit dhe i ka goditur forcat e armatosura deri në palcë. Kjo nuk duhet të përsëritet."