1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Situatë serioze për Covid-19 me tendenca përkeqësimi

Bekim Shehu
2 Nëntor 2020

Qeveria e Kosovës ashpërsoi masat kundër përhapjes së koronavirusit. Masat mund të ashpërsohen edhe më tej, nëse vazhdon tendenca e shtimit të infektimeve.

https://p.dw.com/p/3kllt
Kosovo, Pristina
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë është shumë serioze, sepse numri i qytetarëve të prekur me koronavirus në ditët e fundit e ka kaluar numrin e 120 të infektuarve për 100 mijë banorë. Kjo ka bërë që qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të reja kundër përhapjes së pandemisë.

Në një takim të mbajtur të hënën nga mekanizmat përcjellës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku morën pjesë edhe misionet diplomatike, Komisioni Evropian dhe agjencitë e OKB-së në Kosovë, u diskutua për masat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat nga disa sektorë të ekonomisë nuk po priten mirë. 

"Situata epidemiologjike me Covid-19 në në Kosovë është serioze dhe me tendenca përkeqësimi. Pasi që numri i qytetarëve të prekur me Covid 19 në ditët e fundit arrin 120 të infektuar në 100 mijë banorë. Prandaj, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, të cilat janë në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe në mbikqyrje të zbatimit të masave, nëse do të jetë e nevojshme, do të rekomandojnë dhe do të ndërmarrin veprime shtesë për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Kosovës.

Prania ndërkombëtare kërkoi angazhim shtesë në monitorimin e situatës, ndërsa, "nëse do të jetë e nevojshme nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave, për të vënë nën kontroll shpërndarjen e virusit dhe mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor”.

Preken gastronomia dhe qendrat tregtare

Masat e reja kundër koronavirusit, që tashmë ndërmori qeveria e Kosovës përfshijnë ndër të tjera sektorin e gastronomisë dhe qendrat tregtare. Këto nuk mund të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar të qarkullimit: ata do të lejohen të lëvizin nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00, përjashtuar këtu personat për nevoja shëndetësore. Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lejohet të mos shkojnë në punë dhe punëdhënësit e tyre, obligohen t'u krijojnë kushte për angazhim online nga shtëpia.

Personat që duan të hyjnë në Kosovë dhe që vijnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë, që janë të listuar nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, duhet të prezantojnë një test negativ PCR. Institucionet publike sipas masave të reja, obligohen që të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojten nga përhapja e COVID -19, dhe për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente.

Në fuqi po ashtu mbetet edhe masa për mosgrumbullim të më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike. Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, duhet ta organizojnë mësimin në formën online, thuhet në vendimin e qeverisë. Rreth dy mijë raste të reja të personave të infektuar me Covid-19 u shënuan vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, duke e rënduar dhe stërngarkuar gjendjen nëpër qendrat spitalore të Kosovës.

Masat e reja të qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së pandemisë, nuk janë pritur mirë nga disa sektorë të ekonomisë. Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se "Bizneset qe po kufizohen duhet te mbështeten financiarisht nga qeveria”.

"Kufizimi i orarit të punës në disa sektorë të ekonomisë, rezulton me rënie të qarkullimit, përderisa shpezimet mbesin fikse (qiratë, pagat, etj). Në shumicën e bizneseve që do të punojnë me orar të kufizuar, një pjesë e rëndësishme e qarkullimit krijohet në orarin kur ato duhet të mbyllen për shkak të masave të reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, duke shtuar se "veprimi për masa te reja kufizuese do të duhej të përcillej me një masë financiare në përkrahje të këtyre bizneseve, së paku 30-40% e totalit të pagave dhe qirave”.

Që prej fillimit të pandemisë e deri në këtë fillim nëntori, në Kosovë e cila ka një popullsi prej rreth 1.7 milionë banorësh, janë regjistruar mbi 20 mijë raste me koronavirus. Prej tyre, 688 pacientë kanë vdekur dhe 15.611 janë shëruar.