1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Prodhimi i energjisë dhe ngrohjes nga biomasa

7 Shtator 2022

Në qytetin kosovar të Gjakovës, një impiant i ngrohjes me biomasë ka zëvendësuar një sistem 40-vjeçar të ngrohjes që ishte me mazut dhe tani po gjeneron energji të pastër dhe të gjelbër 24/7.

https://p.dw.com/p/4GUrX
Kosovo Heizen mit Biomasse
Ngrohje me biomasëFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Në periferi të Gjakovës, një qytet me 40 mijë banorë në Kosovën jugperëndimore, është impianti i parë i ngrohjes me biomasë në Ballkan, kohët e fundit ai filloi të prodhojë ngrohje dhe një furnizim të kufizuar me energji elektrike për 2.000 familje private, institucione publike dhe biznese.

Pas fasadës së zakonshme të katër ndërtesave që nuk bien në sy, impianti me ngjyrë gri, është prurja më e re e teknologjisë së lartë për ngrohje dhe energji. Njësia, e cila filloi të funksionojë këtë vit, funksionon tërësisht me një nga burimet më të bollshme të energjisë në rajon: biomasa e krijuar nga mbetjet e biodegradueshme, si krasitjet e hardhisë dhe mbetjet e drurit.

Kosovo Heizen mit Biomasse
Impianti i ngrohjes me biomasë në GjakovëFotografi: Vjosa Çerkini/DW

BE-ja dhe komuna e Gjakovës financuan ngrohësin në shumën prej 15 milionë eurosh. Me këto para u blenë dy kaldaja ngrohjeje, të cilat në thelb janë furra, dhe një turbinë me avull të kombinuar me nxehtësi dhe fuqi. Ky i fundit e shndërron avullin në energji elektrike. Ndërkohë, Swiss Economic Cooperation po kontribuon me 5 milionë euro për zëvendësimin dhe rinovimin e rrjetit të ngrohjes.

Ngrohja e shtëpive, shkollave dhe spitaleve

Sistemi, i cili ishte tre vjet në përgatitje, do të funksionojë me kapacitet të plotë këtë dimër, duke siguruar 35% të qytetit me ngrohje.

"Përparësitë janë se ngrohës të tillë ndihmojnë jashtëzakonisht në mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, kjo ngrohëse hap vende të reja pune dhe siguron ngrohje cilësore për klientët, përfshirë shkollat dhe spitalet", thotë Albana Dulatahu-Skivjani, drejtore e sipërmarrjes së Gjakovës. 

Klientë të kënaqur

Për komunën e Gjakovës suksesi i këtij projekti varet nga rritja e numrit të shfrytëzuesëve të këtij sistemi dhe se sa janë ata të kënaqur me shërbimet që marrin. "Ngrohësin e përdor për shtëpinë dhe biznesin tim”, thotë Adnan Canhasi, 63-vjeçar nga Gjakova. "Dikur kishim ngrohje vetëm në mëngjes dhe në mbrëmje për një numër të kufizuar orësh. Tani është krejtësisht ndryshe," thotë ai. "Ne kemi ngrohje 24 orë në ditë”. Çmimi për ngrohjen, thotë Canhasi, nuk është rritur. Pasi të përfundojnë riparimet, rrjeti 40 vjeçar i shpërndarjes për ngrohjen në qytet do të transportojë ujin e nxehtë nga ngrohësi në shtëpitë e shfrytëzuesëve. 

Kosovo Heizen mit Biomasse
Albana Dulatahu-Skivijani, drejtore e sipërmarrjes së GjakovësFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Ulja e kostove të karburantit dhe transportit

Pjesa më e madhe e biomasës – e cila e kthen atë që në rast të kundërt do të ishte mbeturinë - në një burim energjie që vjen nga fermat lokale, industria e lëndës së drurit dhe dyqanet e zdrukthtarisë në Kosovë. Kjo do të thotë se kostot e transportit të biomasës janë shumë më të ulëta se sa për mazutin, që importohet kryesisht nga Shqipëria.

Një ton biomasë kushton 110 euro, sipas Dulatahu-Skivjani. Një ton mazut i importuar shkon me dhjetëfishin e çmimit.

Duke thënë kështu, Dulatahu-Skivjani thekson se një njësi e biomasës nuk e mban gjatë energjinë: një kamion cisternë plot me mazut përdoret për të prodhuar energji për dy ditë. Tani duhen dy kamionë me biomasë për të gjeneruar të njëjtin vëllim energjie.

Një proces kompleks

Ajo që tingëllon si një çështje e thjeshtë e djegies së mbetjeve është në fakt një proces kompleks, shumë teknologjik. Së pari, është thelbësore që grimcat e biomasës, të cilat janë kryesisht mbetje pyjore, të mos jenë as shumë të mëdha dhe as shumë të vogla, mesatarisht kanë madhësinë e një shkrepëseje. Së dyti, biomasa e dorëzuar duhet të përmbushë standardet e BE-së për përmbajtjen e lagështisë, nivelet e ndotjes dhe llojin e drurit.

Këtë dimër, ngrohësit do t'i duhen 10 mijë tonë biomasë për të prodhuar nxehtësi pa ndërprerje, duke i mundësuar atij të gjenerojë 15 megavat energji termike dhe 1,5 megavat energji elektrike.

"Ky është investimi më i madh në ngrohje qendrore në Kosovë”, thotë Dulatahu-Skivjani. BE-ja po ndihmon integrimin e Kosovës në sistemin energjetik të Evropës Juglindore duke përmirësuar rrjetin e saj të transmetimit të tensionit të lartë dhe duke zgjeruar ngrohjen qendrore. Megjithatë, ndryshe nga ky projekt, rrjetet e tjera të reja të ngrohjes qendrore në vend mbështeten në termocentralet ekzistuese, shumica e të cilave janë me qymyr.

Kosovo Heizen mit Biomasse
Fotografi: Vjosa Çerkini/DW

Strategjia energjetike e Kosovës

Sa i përket energjisë së gjelbër, Kosova është në fazat e hershme të zhvillimit. Aktualisht për vendin është duke u hartuar një strategji energjetike për vitet 2022 deri në 2031. Kosova duhet të jetë neutrale ndaj CO2 deri në vitin 2050, sipas udhëzimeve ndërkombëtare.

Tetë qytete të tjera kosovare po shqyrtojnë mundësinë e ngrohjes me biomasë, por Prishtina, kryeqyteti i Kosovës dhe qyteti më i madh dhe më i ndotur, nuk është në mesin e tyre. Për të ecur përpara, "na duhen të dhëna më specifike se sa drunj kemi për këtë qëllim," thotë zëvendësministrja e Mjedisit e Kosovës Linda Cavdarbasha, duke iu referuar biomasës së mbetur.

Planet për zgjerim

Ngrohësi aktualisht furnizon vetëm një pjesë të qytetit të Gjakovës, por ka plane për zgjerimin e këtij sistemi. "Zgjerimi në zonat rurale është problematik, sepse humbet avantazhi në kosto”, shpjegon kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. "Nxehtësia bartet përmes tubacioneve, të cilët kanë nevojë për stacione pompimi për të mbuluar distanca të gjata. Fshatrat që janë më larg humbasin shumë kur krahasohen kostot dhe përfitimet."

Kosovo Heizen mit Biomasse
Ardian Gjini, kryetari i komunës së GjakovësFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Një hap i mirëpritur në drejtimin e duhur

Vëzhguesit kritikë e vendosin projektin në perspektivë: aktivistja e mjedisit Egzona Shala-Kadiu thekson se "është thjesht një projekt pilot, një komunë, madje nuk është as i gjithë qyteti". "Zhvillimi i diçkaje të tillë [në nivel kombëtar] kërkon vullnet politik," thotë ajo, i cili, sipas Shala-Kadiut, mungon në Kosovë. Megjithatë, për shkak se "politika ndaj klimës është aktualisht shumë e rëndësishme" në nivel ndërkombëtar, ajo shpreson që vendet anëtare të BE-së dhe vetë BE-ja do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së një përhapjeje shumë më të madhe të burimeve të rinovueshme. Megjithatë, Shala-Kadiu mirëpret faktin se me këtë pilot projekt Kosova ka filluar të përdorë atë që ka me bollëk për të prodhuar energji në mënyrë të gjelbër.

 

Portret në sfond të bardhë: Vjosa Çerkini me flokë të gjata të zeza dhe një xhaketë me kuadrata të vegjël.
Vjosa Çerkini reportere, autore nga Evropa Juglindore