Kosovë: Parlamenti në seancë për votimin e qeverisë Kurti
3 Shkurt 2020Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas më shumë se tre muaj negociatash, arritën të nënshkruajnë marrëveshje për koalicion qeverisës. Të hënën (03.02) në seancën e caktuar nga kryesia e Kuvendit po deabtohet para votimit të qeverisë së re kryeministër Albin Kurtin.
Liderët e dy subjekteve politike, Albin Kurti nga Vetëvendosja dhe Isa Mustafa nga LDK-së, marrëveshjen për koalicionin qeverisës e cilësuan një marrëveshje "të mirë dhe në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend”. Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të shkuar Vetëvendosja doli partia e parë, ndërsa LDK u rendit e dyta. Sipas marrëveshjes për koalicionin qeverisës, qeveria e re e Kosovës do të ketë 15 ministri dhe jo 12 ministri, siç ishte deklaruar në fillim të negociatave. Gjashtë ministri do t'i ketë Vetëvendosja, gjashtë ministri do t'i ketë LDK-ja, ndërsa tri ministri do t'u takojnë pakicave, dy nga to për serbët e Kosovës. Kryetari i Kuvendit do t'i takojë LDK-së, ndonëse tash për tash kjo pozitë mbahet nga Glauk Konjufca i Vetëvendojes.
"Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafa dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha”, tha Albin Kurti. Ai arsyetoi edhe dakordimin se pse qeveria e re do të ketë 15 ministri e jo 12.
"Ne kemi vlerësuar se synimi që të kemi 12 ministri ka qenë synim i drejtë, por kemi thënë që është një tendencë e jona dashamirëse për të kursyer sa më shumë. Mirëpo në anën tjetër, kur kemi analizuar strukturat e ministrive përkatëse, krijimi i disa super ministrive është dëshmuar se është kosto më e madhe se sa t'i kemi 12 ministri”, tha zoti Kurti.
Marrëveshja e sotme e nënshkruar ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk e përfshin edhe çështjen e postit të presidentit. Kjo çështje, sipas kryetarit të LDK-së, është lënë për më vonë.
"Sa i përket presidentit, ne jemi marrë vesh që të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të jetë një çështje që do të dakordohemi unë dhe zoti Kurti si lider politik dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën kur është e domosdoshme që të zgjidhet”, tha Isa Mustafa.
Pjesë e qeverisë së re të Kosovës do të jenë edhe përfaqësuesit e pakicave, përfshirë edhe Listën Srpska. Këta të fundit tashmë janë deklaruar se nuk do ta pengojnë formimin e qeverisë së Kosovës. Në bazë të Kushtetutës dhe vendeve të rezervuara, serbëve u takojnë dy ministri.
Parlamenti i Kosovës mblidhet të hënën për ta votuar qeverinë e re, e cila duhet të marrë më së paku 61 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.