Kosovë: ndërrohet komandanti i KFOR-it
3 Shtator 2014Udhëheqës të lartë ushtarak të forcave paqeruajtëse të KFOR-it gjendjen e tanishme taktike të KFOR-it e cilësuan si konsoliduese të sigurisë, promovuese të dialogut dhe progresit, duke krijuar mundësi për përfitime të menjëhershme dhe të ardhshme. Këto komente u bënë në ceremoninë e ndërrimit të komandës qendrore të KFOR-it në Kosovë. Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali Italian Salvatore Farina, i la vendin një gjenerali tjetër Italian, Francesco Paolo Figliuolo.
Komandanti në largim i forcave paqeruajtëse, gjenerali Salvadore Farina, para largimit të tij tha në një konferencë me gazetarë se “në Kosovë janë bërë përparime në forcimin e Kosovës shumetnike paqësore e tolerante”.
“Veriu i Kosovës po ecën drejt normalizimit dhe integrimit, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që kanë hapur rrugën e këtij normalizimi, duhet të vazhdojnë, sikundër që edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duhet të kujdesen për integrimin e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit”, u shpreh gjenerali Farina.
Ai tha se KFOR-i do të vazhdojë praninë e tij në Kosovë duke nënvizuar se tash për tash nuk ka plane për shkurtimin e trupave.
Gjenerali Farina duke folur për përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat në lindjen e mesme tha se “kjo nuk është dukuri e veçantë për Kosovën, por një sfidë, me të cilën po përballet e gjithë bota demokratike”.
“Mendoj se kjo nuk është një kërcënim për të ardhmen, pra nuk mund ta konsiderojmë Kosovën si vend terrorizimi, por natyrisht si çdo vend demokratik duhet të sigurohemi, që nuk do të ketë dhunë, që dhuna dhe terrorizimi duhet të dënohen”, thotë gjenerali Farina.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, duke falënderuar gjeneralin e deritashëm të KFOR-it, Salvadore Farina, tha se “gjatë këtij viti kemi pasur shumë sfida dhe suksese të konsiderueshme, por në të dy rastet unë isha e inkurajuar nga mbështetja, bashkëpunimi dhe partneriteti, të cilat ju i keni ofruar institucioneve të Kosovës në kryerjen e detyrave të tyre duke siguruar integritetin dhe sovranitetin tonë territorial. Ne kemi arritur disa caqe të rëndësishme, siç janë procesi i suksesshëm i zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme, të mbajtura në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe mendimi afatgjatë rreth përcaktimit të vizionit tonë për krijimin gradual të Forcave të Armatosura të Kosovës, një forcë e cila do t'i reflektojë nevojat e vendit tonë për siguri dhe e cila do të ndërtohet në partneritet me NATO-n”, tha presidentja Jahjaga.
Presidentja tha se “institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë së bashku në integrimin e të gjithë qytetarëve në rendin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës dhe të punojmë bashkërisht në krijimin dhe forcimin e kapaciteteve të Kosovës për të qenë kontribuuese e sigurisë kolektive. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë do ta sigurojmë prosperitetin e qytetarëve të vendit tonë, do ta garantojmë stabilitetin e tij, derisa me ngulm ndjekim dhe realizojmë vizionin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e familjes euroatlantike”.
Aktualisht mbi 5 mijë trupa të NATO-s shërbejnë në Kosovë. Më së shumti trupa në Kosovë ka Gjermania 700 ushtarë dhe misioni në Kosovë është i dyti më i madhi i ushtrisë gjermane jashtë vendit, pas Afganistanit. Vendimi për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjerman në kuadër të KFOR-it u mor në fillim të qershorit të këtij viti nga Bundestagu gjerman.