Kundërshtohet ashpër ligji i ri për mediat në Kosovë
12 Korrik 2024Kuvendi i Kosovës miratoi një projektligj për Komisionin e Pavarur të Medieve (KPM), i cili nuk u mirëprit nga mekanizma ndërkombëtarë dhe shoqata të gazetarëve, se nuk i përgjigjet standardeve të Bashkimit Evropian. Projektligji mes tjerash parasheh licencimin e medieve online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro, nëse ato nuk i përmbahen këtij ligji.
Reagime ndërkombëtare pas miratimit të ligjit për mediat
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu keqardhje që Kuvendi e miratoi ligjin siç tha "pa i adresuar shqetësimet", dhe sipas tij, "projektligji nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së”. "Kuvendi i Kosovës e humbi një mundësi të mirë për t'i pasur dy ligje të mira, Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, pasi dështoi t'i fusë plotësisht të gjitha rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare", tha Szunyog. Sipas tij, "Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t'i trajtojë këto shqetësime kryesore”.
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, u shpreh i shqetësuar me miratimin e ligjit dhe tha se "Kosova i shpërfilli qëndrimet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për këtë ligj”. "Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, shkroi ambasadori Rohde.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se e ka parë "shqetësim" miratimin e Projektligjit të KPM-së dhe kërkoi të kundërshtohet futja në fuqi e tij. "Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre", tha AGK-ja.
Gutierrez: "Ditë e zezë për lirinë e medieve”
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, në një reagim të ashpër të tij, e ka quajtur "ditë të zezë për lirinë e medieve”, miratimin e Ligji për KPM, i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. "Parlamenti miratoi ligjin për media, pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve për të mos bërë kështu. Kjo është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë”, shkroi në reagimin e tij, Gutierrez.
Opozita kundërshtoi ligjin
Gjatë seancës së parlamentit kur votohej ligji, partitë opozitare nuk morën pjesë, duke kundërshtuar ashpër miratimin e ligjit. Ato i bënë thirrje presidentes së vendit që mos ta dekretojë ligjin. Për të hyrë në fuqi, Projektligji për KPM-në pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ligji për KPM tashmë i miratuar në kuvendin e Kosovës, parasheh licencimin dhe kontrollimin e medieve online nga KPM, medie që prodhojnë video. Në KPM-së, më herët kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediet audio-vizuale. Sipas këtij projektligji, mediet që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t'i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja. Mediet online po ashtu do t'i nënshtrohen sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mos ruajtja e arkivit të transmetimeve, dhe mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim.