1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dënon sulmin rus ndaj Ukrainës

Bekim Shehu
25 Shkurt 2022

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës dhe thonë po ashtu, se krahasimet që presidenti rus, Putin, ka bërë midis Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe Kosovës, janë të paqëndrueshme.

https://p.dw.com/p/47Z9Y
Kosovo | Parlamentsgebäude
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, dënuan agresionin ushtarak rus ndaj shtetit të Ukrainës, si dhe dënuan vendimin e Moskës që të njohë si shtete të pavarura dy rajonet lindore ukrainase, Luhansk dhe Donjeck, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kyeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, në një deklaratë të përbashkët thonë, se "Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantazëm brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”.

Sipas udhëheqësve politik të Kosovës, sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj vlerave demokratike, ndërkaq, theksohet, se "në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje”. Po ashtu, në deklaratë thuhet se krahasimet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë midis Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe Kosovës, janë të paqëndrueshme.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha këtë të martë se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si "pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës. "Tendenca e diktatorit Putin për t'iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran”, thuhet në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, ku theksohet qartë se "Kosova do të punojnë me aleatët që t'i kundërvihen tendencave "destabilizuese të Rusisë” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.