Kosova dhe Serbia më pranë marrëveshjes për energjinë
14 Qershor 2022Kosova dhe Serbia janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk paguajnë faturat e rrymës. Kjo konfirmohet edhe nga Prishtina dhe Beogradi, ndonëse në forma të ndryshme.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe për këtë çështje ai tha se "ka pasur negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
"Kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar dhe shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike që të rregullohet dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim", tha Vuçiqi, transmeton mediumi publik i Serbisë. KEDS është një kompani turke që bënë shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë.
Edhe qeveria e Kosovës nga ana e saj konfirmon se palët janë shumë pranë zgjidhjes së çështjes së furnizimit dhe pagimit të energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveҫan dhe Zubin Potok.
Çështja e energjisë elektrike për serbët e veriut të Kosovës është një nga temat e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se kjo çështje do të rregullohet "duke respektuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të vitit 2013”. Reagimi i kryenegociatorit kosovar erdhi pasi presidenti Aleksandër Vuçiq tha se "pala serbe ka zhvilluar negociata dhe ka arritur pajtim me KEDS-in për prezencën e kësaj kompanie në veri” të Kosovës.
"Në emër të Kosovës negocion Qeveria e Kosovës"
"Në emër të Kosovës negocion vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës. Takimi mes KEDS-it dhe palës serbe, i organizuar nё Stamboll më 9 qershor, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit të garancive për katër shërbimet e dakorduara në vitin 2015: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi, dhe këtë obligim e ka përmbushur”, shkroi Bislimi në profilin e tij social.
Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për energjinë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike - KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës në veri të Kosovës.
Që atëherë kjo marrëveshje nuk është zbatuar kurrë ndonëse vazhdimisht është bërë presion nga bashkësia ndërkombëtare. Serbët e veriut të Kosovës që nga përfundimi i luftës furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë. Asnjëherë nuk është bërë e qartë se nga kush furnizohen me energji elektrike serbët në veri. KOSTT që është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, thotë se furnizimi në veri bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, ndërsa, autoritetet e Beogradit thonë se energjia elektrike në veri të Kosovës sigurohet nga Elektrorrjeti i Serbisë.
"Nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër veç "Drustvo Elektrosever D.O.O.”
Sidoqoftë, me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike në veri të Kosovës të nënshkruar në prill të vitit 2013 dhe të konfirmuar në vitin 2015, parashihet që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin "Drustvo Elektrosever D.O.O.”. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shkroi se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të "Drustvo Elektrosever D.O.O.”, ashtu siç e parashohin edhe marrëveshjet e arritura me Serbinë. Kjo kompani për të filluar operimin në Kosovë, duhet të licencohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë. Licenca nga "Drustvo Elektrosever D.O.O.” është kërkuar në fund të vitit 2020, por ende nuk është miratuar, sepse, licenca "duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe konkluzionet e saj”.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri në vitin 2017, rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës e kanë paguar qytetarët e tjerë të Kosovës të regjistruar nga faturat e tyre si humbje e energjisë në rrjetin në veri. Nga viti 2017, pasi një gjykatë në Kosovë e ndërprehu këtë praktike, rrymën për serbët e veriut e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT). Sipas tyre humbjet nga mospagesa e rrymës në veri vetëm në vitin 2021 janë rreth 40 milionë euro.