1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s

Bekim Shehu
12 Qershor 2019

Personalitete të shumta nga rajoni dhe bota demokratike morën pjesë në manifestimin qendror që u mbajt në qendër të Prishtinës me rastin e 20 vjetorit të futjes së trupave të NATO-s, prej nga dhe mori fund lufta më 1999.

https://p.dw.com/p/3KFcH
Kosovo Pristina Feierlichkeiten 20 Jahre  NATO-Eingreifen
Fotografi: Office Kosovo Prime Minister

Ish-Presidenti i SHBA, amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medeline Allbright, gjenerali Wesli Clark dhe Ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Matthew Palmer, ishin të ftuarit special nga SHBA-ja. Në këtë përvjetor të pranishëm ishin dhe liderët e rajonit, por jo ata të Serbisë

Bill Clinton-ish presidenti i SHBA-së u prit si hero në qendër të Prishtinës.

Kosovo Pristina Feierlichkeiten 20 Jahre  NATO-Eingreifen
Fotografi: Office Kosovo Prime Minister

"Kam një fotografi në zyrën time në New York dhe është një fotografi në Prishtinë pas përfundimit të konfliktit, ku janë sekretarja Albright, gjenerali Clark, Tony Blair dhe unë. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t'ia kujtuar vetes se cili ka qenë qëllimi kryesor që arsyetoi përdorimin e forcës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova këtu para 20 vitesh, në një shkollë në Ferizaj, atë ditë thash diçka që dëshiroj ta them edhe sot, 78 ditë të sulmeve ajrore nga NATO-ja mund ta kenë fituar këtë luftë, por vetëm qytetarët që ishin neëgjimnaz atë ditë dhe qytetarët e tjerë të Kosovës mund ta fitojnë paqen”, tha presidenti Clinton.

Duke kujtuar vendimin për sulmet ndaj caqeve serbe 20 vjet më parë, ish- sekretarja Medeline Albright tha, se: ”Presidenti Clinton në një moment më pyeti se a jemi duke bërë veprimin e duhur për të sulmuar caqet serbe? Dhe unë i thashë, PO zoti President jemi duke bërë veprimin e duhur për ta ndalur tmerrin mbi popullin e Kosovës”, tha Albright.

Të pranishmëve iu drejtua edhe ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Matthew Palmer, i cili tri ditë më parë ishte në Beograd. Nga Kosova, ai i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të arrijnë marrëveshje në kuadër të dialogut: "Për 20 vjet SHBA-ja qëndron në anën e Kosovës duke inkurajuar progresin. Tash është radha e Kosovës që të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan. Është e rëndësishme që Prishtina dhe Beogradit t'i rikthehen dialogut dhe të arrijnë një marrëveshje që do të përmirësonte jetën e qytetarëve në të dyja vendet në Kosovë dhe Serbi”, tha Palmer.