1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koreja e Jugut: ofertë bisedimesh Koresë së Veriut

18 Korrik 2017

Përballë kërcënimeve të fundit, Koreja e Jugut i propozon Koresë së Veriut bisedime ushtarake. Mund të flitet edhe për bashkime familjare. Ndërkohë, BE e kërcënon Korenë e Veriut me sanksione të reja.

https://p.dw.com/p/2ghHq
Nordkorea / Südkorea - Nordkoreanische Soldaten machen ein Foto von Südkoreanischem Soldat
Fotografi: picture-alliance/Yonhap

Për gati tri vjet sundoi heshtje e plotë. Kurse tani, gjithçka duhet të ecë shumë shpejt. Një bisedë e parë për çështje ushtarake mund të zhvillohet që të premten, në pikën kufitare Panmunjon, thuhet në një propozim të ministrisë jugkoreane të Mbrojtjes. Synimi është "fundi i akteve armiqësore", pasi Koreja e Veriut kreu së fundi disa teste me raketa dhe me armë bërthamore.

"Ne propozojmë një takim, me të cilën t'u jepet fund aktiviteteve armiqësore, të cilat i shtojnë tensionet ushtarake përgjatë kufirit të vendit", thuhet më tej në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Ndryshimi i qendrimit ka të bëjë me sa duket me ndryshimin në kreun e shtetit. Presidenti i zgjedhur në maj, Moon Jae In është shprehur për një dialog me Veriun, për t'i pakësuar tensionet midis dy vendeve.

Koreja e Veriut duhet të reagojë ndaj "propozimeve të sinqerta" nga Jugu, po të synojë me të vërtetë paqe në Gadishullin korean, deklaroi ministri koreanojugor i Mbrojtjes, Cho Myong Gyon. Qeveria në Seul nuk synon as kolapsin e Koresë së Veriut, as një ribashkim duke e pushtuar Veriun. Ai i kërkoi udhëheqjes së Phenianit që t'i përdorë më fort rrugët e komunikimit ndërkufitar, duke përfshirë edhe linjën direkte telefonike për çështjet ushtarake.

Projekte humanitare në agjendë

Takim familjesh të ndara
Takim familjesh të ndaraFotografi: AP

Por edhe për projekte humanitare mund të diskutohet së shpejti në mënyrë më intensive. Për këtë, Kryqi i Kuq i Koresë së Jugut i propozoi palës koreanoveriore bisedime në 1 gusht. Në to do të diskutohet për takime të reja midis familjeve, të cilat u ndanë në mes për shkak të luftës së Koresë nga viti 1950 deri 1953. Meqenëse pas luftës së Koresë nuk u lidh një marrëveshje paqeje, miliona koreanë mbetën të ndarë për dekada të tëra nga të afërmit e tyre. Në Korenë e Jugut ndërkohë jetojnë vetëm 60.000 vetë, që bëjnë pjesë në familjet e ndara që në vitin 1953.

Ndërkohë, nga ana evropiane, Korea e Veriut u kërcënua sërish me sanksione të reja. Në një takim të ministrave të Jashtëm në Bruksel u mor vendimi që të shqyrtohen reagime të tjera ndaj programit bërthamor dhe raketor të udhëheqjes komuniste në Phenian. Aksione si ngritja e një raketë ndërkontinentale në 4 korrik përfaqësojnë një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në botë, u shprehën ministrat.

Sipas të dhënave të diplomatëve, sanksionet e reja mund të kenë si objektiv pengimin e aktiviteteve ekonomike të përfaqësive koreanoveriore në botën e jashtme. Ekziston droja se ato shërbejnë edhe për të siguruar deviza për programin bërthamor.