1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kore e Jugut: zgjedhje me rëndësi për fatin e vendit

Fabian Kretschmer
9 Maj 2017

Në demokracinë e re të Azisë Jugore po zgjidhet një kryetar i ri shteti. Fitimtari i pritshëm i zgjedhjeve do t'i riorientojë marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit të tij.

https://p.dw.com/p/2ceVf
Südkorea Präsidentschaftswahlen
Fotografi: Reuters/Kim Kyung-Hoon

Që në zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Korenë e Jugut bëhet fjalë për zgjedhje me rëndësi për fatin e vendit, këtë mund ta shohësh edhe në pjesëmarrjen e pritshme masive në votime: gati 90 përqind. Deri sot votën e tyre e kanë dhënë para kohe rreth dhjetë milionë koreanojugorë, pra mbi 20 përqind e personave me të drejtë vote.

Skandali qeveritar rreth ish-Presidentes Park Geun-hye në fund të fundit nuk la askënd në vend indiferent. Pjesë të mëdha të popullit protestuan për muaj të tërë në "marshimet në dritën e qiririt" kundër kryetares së tyre të korruptuar të shtetit. Disa dyzina mbështetësish të Parkut, që ndërkohë ndodhet në burg hetimor ndodhen ende para sheshit të bashkisë, në një kamp provizor çadrash. Demokracia koreanojugore, me 30 vjetët e saj mund të jetë relativisht e re, por megjithatë ajo ka një kulturë energjike proteste dhe ndodhet përballë një popullate të politizuar në masë të madhe.

Südkorea Präsidentschaftswahlen
Fotografi: Reuters/Kim Hongji

Roli i favoritit për Moon Jae-in

Në këtë situatë nuk të çudit fakti, që favoriti kryesor është nga radhët e partisë opozitare Minjoo. Ish avokati për të drejtat e njeriut Moon Jae-in kandidoi që në vitin 2012 kundër Park Geun-hye dhe i humbi zgjedhjet. Tani duket se 64 vjeçari mishëron ndryshimin e dëshiruar prej kohësh. "Nëse sondazhet nuk janë krejtësisht të gabuara, Moon Jae-in është kaq pranë fitores së zgjedhjeve sa mund të jesh në to në zgjedhjet e lira", thotë Steven Denney, politolog i Universitetit të Torontos. Në sondazhe, Moon merr rreth 40 përqind të votave.

Konkurentët e tij konservatorë kanë dashur të paraqesin atë gjithmonë si simpatizant të Koresë së Veriut. Një kritikë pa bazë, e cila demaskohet si mashtrim para së gjithash nga shtresat e zgjedhësve të rinj. Por është fakt që Moon kërkon t'i japë një orientim krejt të ri politikës ndaj Koresë së Veriut.

Südkorea Wahlen Wähler
Fotografi: Reuters/K. Hongji

Premisa e tij orientohet në kohën kur ai ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm në vitet 2000, kur Koreja e Jugut ndoqi nën një qeveri me drejtim të majtë të ashtuquajturën "politikë të shkëlqimit të diellit". Edhe këtë herë, Moon do të ndjekë tri projekte bazë të atëhershme: një takim të nivelit të lartë midis Koreve me Kim Jong Un, një rihapje të zonës së posaçme ekonomike Kaesong si dhe një departament për turizmin në Malësinë Kumgang të Koresë së Veriut. Të dyja projektet mund t'i sjellin miliona dollarë në vit regjimit të Phenianit.

Thekse kundër Trumpit

Por kjo politikë mund të çojë në tensione me Uashingtonin. Këtë javë ministri i Jashtëm i SHBA, Rex Tillerson i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që mundësisht t'u japë fund marrëdhënieve diplomatike dhe tregtare me Korenë e Veriut.

Veç kësaj, 64 vjeçari do të rishqyrtojë edhe stacionimin e përfunduar tashmë të ombrellës së mbrojtjes raketore amerikane THAAD. Më shumë se gjysma e koreanojugorëve janë kundër kësaj mbrojtjeje raketore, meqenëse ai rëndon marrëdhëniet me Kinën dhe shton tensionet ushtarake në rajon.

Në politikën e brendshme, Moon si dhe kandidatët e tjerë, synojnë të reformojnë lidhjet e ngushta, të korruptuara midis politikës dhe koncerneve të përziera si Samsungu, LG dhe Hyundai. Me një zgjerim masiv të sektorit publik ai do të shtojë 800.000 vende të reja pune.

Pavarësisht nga kampet politike: si populli, ashtu edhe nëpunësit e qeverisë po bëjnë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet të jenë korrekte. Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve ka ngritur një njësi për sigurinë kibernetike, e cila do të shuajë menjëherë lajmet e gënjeshtërta për kandidatët në mediet sociale. Në Korenë e Jugut demokracia është një mall i vlefshëm, i fituar me mundim nga populli pas dekadave të diktaturës ushtarake.