Koralet e çmuara - Gjuetia për "arin e kuq"
16 Mars 2023Mourad Arfaoui ia ka kushtuar jetën e tij koraleve. Në dyqanin e tij të vogël që ndodhet në Tabarka të Tunezisë, ky artist i kthen koralet në bizhuteri. Me këtë punë ai ka arritur t'i mundësojë familjes së tij një jetë të mirë, 20 vitet e fundit. "Të gjithë punojnë bashkë në dyqan. Disa punojnë paradite, të tjerët pasdite,” tregon me krenari artisti tunizian. "Ne i prodhojmë vetë këtu të gjitha zbukurimet me korale, duke filluar me lëndën e parë dhe duke përfunduar me shitjen. Djemtë e mi janë rritur si të thuash, këtu në dyqan.”
Vendlindja e Arfaouis-it, Tabarka ndodhet në bregdetin verior tunizian, në Mesdhe, rreth 200 km larg ishullit Italian të Sardenjës. Prej shekujsh çdo gjë në këtë qytet të vogël port ka të bëjë me koralet. Por gjithnjë e më shumë biznesmenë lokalë janë duke hequr dorë, sepse atyre u mungon furnizimi. Dhe kur ndodh që të ketë ndonjë furnizim të ri, që vjen prej zhytësve zyrtarë të koraleve nga rajoni, atëherë çmimet janë marramendëse. Nëntë nga dhjetë dyqane janë mbyllur ndërkohë, tregojnë banorët e këtushëm.
Frikë nga zhdukja e koraleve
Edhe Mouradi nuk beson më se fëmijët e tij do të vazhdojnë të merren me këtë biznes. "Do të vijë mbase një ditë kur këtu të mos ketë më korale. Ato janë duke u zhdukur", thotë nga artisti duke paralajmëruar. "Sasia e vogël e koraleve bën që tani që njerëzit të mos jenë më në gjendje të blejnë zbukurime me korale. Një varëse me korale të çmuara kushton me mijëra.”
Koralet e çmuara, që quhen edhe korale të kuqe, janë gjallesa të ngjitura me njëra tjetrën dhe vijnë kryesisht nga Deti i Kuq dhe Mesdheu. Ato janë të ndjeshme ndaj dritës, prandaj jetojnë kryesisht në thellësi qindra metra të detit. Për shkak të rolit të rëndësishëm që luajnë në sistemin ekologjik lokal ato quhen nga vendasit edhe Pemët e Kuqe të Mesdheut. Që nga periudha e antikitetit, Pemët e Kuqe, kanë qenë lëndë e parë e lakmuar për prodhimin e bizhuterive. Zhytës të panumërt kanë humbur jetën në kërkim të tyre. Unioni për Mbrojtjen e Natyrës, (IUCN) i ka përfshirë koralet e çmuara në listën e specieve të rrezikuara nga zhdukja.
Për një kohë të gjatë koralet kapeshin me rrjete të mëdha peshkimi, të cilat e shkatërronin thuajse krejt gjendjen në një pikë të caktuar. Që nga vitet 1980 kjo praktikë është ndaluar në pjesën më të madhe të vendeve. Në vitin 2019, Komisioni i Peshkimit për Mesdheun (GFCM) ka dhënë një seri udhëzimesh të tjera për të ruajtur koralet e çmueshme nga zhdukja. Ndër të tjera, ato lejojnë zhytjen në ujë deri në thellësinë 50 metra. Përveç kësaj vendeve anëtare u është bërë thirrje që të zhvillojnë një sistem për të ndjekur më mirë origjinën e koraleve të çmuara. Edhe në Tunizi, tani lejohen të kapin korale vetëm disa dhjetra zhytës të licencuar, të paktën zyrtarisht.
"Tregti fantazmë" në lulëzim
Shumë biznesmenë nga Tabarka përmendin herë pas here me rezerva tregun e zi të gjallesave të detit të preferuara, treg që është në lulëzim. Plotësimi i kushteve nuk mund të kontrollohet dhe çmimet e larta joshin shumë kriminelë. Hapur nuk flet askush për këtë "tregti fantazmash”. Kështu thotë edhe një studim aktual mbështetur nga Bashkimi Europian, sipas të cilit çdo vit kontrabandohen korale të çmuara nga Mesdheu në vlerë miliona euro, dhe që tregjet më të rëndësishëm të bizneseve ilegale janë Afrika e Veriut dhe Italia e Jugut.
Më në fund edhe njerëz të brendshëm nga sektori janë të gatshëm të flasin. Salah Bjaoui ka qenë vetë për shumë kohë zhytës koralesh, gjithnjë me leje, siç thotë ai. Ndërkohë mosha nuk ia lejon më të zhytet. Ai ia jep varkën e tij zhytësve të tjerë. "Natyrisht që peshkohet shumë ilegalisht, dhe kjo shkakton probleme të mëdha,” shpjegon Bjaoui. Sidomos në Algjerinë fqinjë kapen shumë korale të çmuara me rrugë ilegale. Në disa vende ujërat nuk kanë më asnjë peshk.
Në Algjeri, ku koralet e çmuara quhen edhe "gjak i kuq demi”, dhe ku rregullat për kapjen e tyre janë edhe më të forta, është krijuar një industri e tërë fantazmë. Sipas ekspertëve, këtu kontrabandohet çdo vit rreth 3 ton korale me një vlerë tregu ilegal prej miliona eurosh. Policia ka konfiskuar ndërkohë kamionë, në të cilët koralet e çmuara ishin fshehur bashkë me tableta Ecstasy.
"Gati si kokaina"
Zakonisht malli kalon nëpër Tunizi për t‘u shpërndarë me anije në të gjithë botën, sidomos në Europën Jugore dhe Azi, ku kërkesa është e madhe. Në vendin ku ato përfundojnë është e vështirë të nxirret origjina e tyre "Me koralet puna është si me kokainën,” ankohet Taucher Bjaoui. "Para disa kohësh ne kapëm një italian që transportonte ilegalisht me varkën e tij korale në Itali. Të gjithë e dinë se kjo kontrabandë zhvillohet këtu.”
Në anën tjetër të Mesdheut ndodhet Torre del Greco. Kjo qendër e vogël që ndodhet para portave të Napolit, shihet si kryeqyteti botëror i tregtisë ilegale të koraleve. Shumë firma tradicionale prodhojnë këtu bizhuteri të çmuara me korale të vlefshme. Ndryshe nga Tabarka, atmosfera këtu është e mirë dhe çmimet në rritje të lëndëve të para mund të paguhen ende. Firmat që drejtohen nga familjet këtu furnizojnë markat kryesore ndërkombëtare si Gucci dhe Bulgari dhe tek shumë dizejnatorë mallrash luksi, koralet e çmuara janë sërish në modë.
Edhe në Torre del Greco shumë pak njerëz flasin hapur për bumin e tregut të zi të koraleve të çmuara, për shkak të frikës se lajmet me tituj negativë do të ndikonin keq ndaj biznesit. Përjashtim këtu bën Miko Cataldo. Firma e tij familjare që merret me prodhime deti ekziston prej brezash të tërë dhe ashtu si të tjerët edhe ai përfiton nga fryma aktuale e kërkimit të floririt. Koralet e çmuara kërkohen jo vetëm për bizhuteri, por në shumë vende të Azisë ato përdoren edhe për produktet e bukurisë. Atje ato vlerësohen për efektet shëndetësore.
"Një lloj lufte "
"Ne luftojmë çdo ditë me problemet e tregtimit ilegal”, shpjegon sipërmarrësi familjar. Kriminelët e kanë kërcënuar madje në dyqanin e tij, sepse ai ka pasur guximin të flasë kundër tyre. "Kjo është një lloj lufte,” thotë Cataldo. Edhe autoritetet nuk e kanë marrë problemin seriozisht në fillim, shpjegon ai. Por tani Italia ka ngritur lart flamurin e zhvillimit të qendrueshëm dhe ka zhvilluar një plan kombëtar për mbrojtjen më të mirë të kafshëve të detit. "Por kriminelët gjejnë gjithnjë rrugë të reja,” thotë Cataldo. Tani ata mundohen më shumë që t'i kontrabandojnë mallrat nëpërmjet Spanjës dhe Francës, para se të mbërrijnë në tregun ndërkombëtar të Italisë.
Artisti tunizian, Mourad Arfaoui është i sigurt se problemi me tregtinë ilegale të koraleve ka një arsye: atë të etjes për fitim. "Koralet e çmuara ashtu si speciet e tjera që kërcënohen nga zhdukja, janë në rrezik sepse ne nuk u lëmë kohë që ato të zhvillohen. Ne kemi harruar të jemi të durueshëm dhe të vlerësojmë pasuritë e detit,” thotë Arfaoui. Ai e vret shumë mendjen për kohën që do të vijë pas biznesit me korale. Mbase do të fillojë të punojë me dru ulliri. Sepse ato nuk janë në rrezik, kurse koralet po.