Chinas Ein-Kind-Politik
23 Tetor 2011Sipas llogaritjes së OKB-së popullsia në botë deri më 31 tetor 2011 është rritur në shtatë miliardë njerëz. Do të kishin qenë edhe disa qindra miliona më shumë, nëse Kina, vendi më i populluar në botë, nuk do të kishte marrë masa të rrepta për planifikimin e familjes, ose diçka të tillë lexon këto ditë shpesh në shtypin kinez.
Ushtrimi i politikës një-fëmijë
Në fundin e viteve shtatëdhjetë, pas të ashtuquajturit Revolucioni Kulturor 10 vjeçar, ekonomia e Kinës ndodhej para rrënimit. Sundonte varfëri dhe kishte mungesa të mëdha në strehim, si dhe fuqi punëtore me tepricë. Qeveria kishte frikë se vendi nuk do të ishte në gjendje të ushqente popullatën e tij në një periudhë afatgatë, në qoftë se rritja eksplozive e popullsisë do të vazhdonte pa u frenuar. Për të penguar këtë tendencë Republika Popullore të Kinës në vitin 1979 vendosi kontrollin shtetëror të lindjeve. Profesori i sociologjisë, Zhou Xiaozheng i Universitetit Renmin në Pekin, kujton: "Mao Tse Tung kishte mendimin absurd, se sa më shumë njerëz të ketë, aq më i fortë është vendi. Pas Revolucionit Kulturor dhe vdekjes së Maos regjimi i mëvonshëm filloi një ofensivë në drejtim krejt të kundërt.”
400 milionë lindje më pak
Që nga ai moment çdo familje, që jetonte në qytet, lejohej të lindte vetëm një fëmijë. Dy vjet më vonë qeveria e ktheu politikën një-fëmijë në prioritetin më të lartë të vendit.
Politika e planifikimit familjar me një fëmijë praktikohet deri sot gjerësisht në qytetet e mëdha të Kinës. Vetëm në rastin e aftësisë së kufizuar, ose të vdekjes së fëmijës së parë, ligji i familjes lejon një fëmijë të dytë. Edhe në zonat rurale një familje lejohet të ketë dy fëmijë, nëse i pari është vajzë. Sepse tradicionalisht banorët e zonave rurale preferojnë pasardhës meshkuj si trashëgimtarë. Pakicat etnike me popullsi të pakët nuk i nënshtrohen kurrfarë kontrolli të lindjeve.
Politika kineze një-fëmijë është një kontribut i rëndësishëm në ngadalësimin e shtimit të popullsisë në botë, kështu thuhet nga komisioni shtetëror për popullsinë dhe planifikimin familjar. Ndërsa në fillim të viteve 1970-të një grua kineze në jetën e saj lindte 5,8 fëmijë, sot mesatarja arrin në vetëm 1,8. Pa politikën një-fëmijë në 30 vitet e fundit në Kinë do të kishin lindur rreth 400 milionë njerëz më shumë shënojnë shifrat zyrtare
13 milionë aborte në vit
Për të zbatuar me konsekuencë politikën një-fëmijë, autoritetet kompetente mbështeten jo vetëm në dëshirën e bashkëshortëve për të bashkëpunuar. Autoritetet zbatojnë për kontrollin e lindjeve abortet e detyruara. Se sa janë ato, është e vështirë të hetohet, thonë ekspertët. Praktikisht çdo qytet kinez ka një qendër për popullsinë dhe planifikimin familjar dhe secili prej këtyre autoriteteve vepron pak a shumë sipas kritereve të tij. Një raport nga viti 2009 në gazetën gjuhën angleze China Daily jep një shifer prej 13 milionë abortesh në vit.
Dhunë në sferën private
Për Reggie Littlejohn, avokate dhe themeluese organizatës për të drejtat e njeriut, Gratë Pa Kufi, me bazë në SHBA, politika një-fëmijë ka pak të bëjë me planifikimin familjar:: “T'u mësosh njerëzve, që të ngadalësojnë rritjen e popullsisë, është një gjë. Të detyrosh gratë për të abortuar, për të vrarë foshnjat e porsalindura, është diçka krejt tjetër. Për mendimin tim politika një-fëmijë, dhunë e urdhëruar nga qeveria kineze, është një shkelje masive e të drejtave të grave."
Në një raport, që Littlejohn paraqiti para dy vjetësh në kongresin amerikan, ajo raportonte mbi fatin e Wang Liping. Wang ishte në muajin e shtatë të shtatzanisë me një fëmijë të paligjshëm, kur ajo u sulmua në rrugë nga njerëz të panjohur dhe dërgua me forcë në spital. Atje ajo u detyrua të abortojë. Wang është një nga shumë gra kineze, që kanë këtë fat, thotë Litteljohn: "Kina ka shkallën më të lartë të vetëvrasjeve të grave. Sipas statistikave ka 500 raste çdo ditë. Unë nuk dua të pohoj se kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me abortet e detyruara."
Abortet e detyruara janë një ndërhyrje masive në sferën intime. Ato shkelin të drejtat njerëzore të grave të prekura, kritikon Littlejohn. Ajo i bën thirrje qeverisë kineze për t'i dhënë fund kësaj praktike të kontrollit të lindjeve. Ajo i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Pekinin për këtë qëllim.
Konsekuenca sociale
Profesori i sociologjisë Zhou Xiaozheng i Universitetit Renmin në Pekin bën thirrje për shfuqizimin e politikës një-fëmijë. Ajo ka pasoja negative për të gjithë shoqërinë kineze, inkurajon plakjen dhe çon në rritjen e egoizmit të adoleshentëve: "Pa u rritur me vëllezër e motra dhe në vend të tyre të mbuluar nga dashuria e prindërve dhe gjyshërive, shumë fëmijë zhvillojnë një deficit në aftësitë për t'u përshtatur në shoqëri."
Për Zhou-n kjo politikë do të thotë masa emergjente të një epoke të shkuar. Tani, mendon ai, ështe koha, për t'ia përshtatur politikën ndryshimit të rrethanave.
Autor: Xiegong Fischer/Angjelina Verbica
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora