Kongresi i AfD në Essen konfirmon dy kryetarët e partisë
29 Qershor 2024Alternativa për Gjermani (AfD) ishte fituesja e madhe në zgjedhjet e fundit evropiane: partia shtoi dukshëm votat dhe u bë forca e dytë politike në Gjermani pas Unionit CDU/CSU. Por kjo parti u trondit së fundi nga afera dhe skandale të shumta që përfshijnë politikanë të lartë të AfD-së. Dhe për këto afera shumë anëtarë të AfD fajësojnë udhëheqjen e partisë së tyre.
Dy kryetarët Alice Weidel dhe Tino Chrupalla janë kritikuar – edhe publikisht. Në kongresin e AfD në Essen këtë fundjavë, ata megjithatë sërish kandiduan dhe u rizgjodhën në postin e bashkëkryetarëve.
Skandalet rreth politikanit të AfD Maximilian Krah
Para së gjithash, skandalet me kandidatin kryesor të AfD-së për zgjedhjet europiane, Maximilian Krah, i turbulluan gjakrat brenda partisë. Emri i Krah shfaqet në lidhje me aferën e pagesave të paligjshme të parave ruse ndaj politikanëve evropianë. Përveç kësaj, një nga punonjësit e tij u arrestua dhe u dyshua për spiunazh për Kinën. Dhe në një intervistë për një gazetë italiane, Krah relativizoi krimet e SS nën Adolf Hitlerin.
Kjo është arsyeja pse lidershipi i partisë rreth Weidel dhe Chrupalla e ndaloi atë të performonte pak para zgjedhjeve evropiane. Pas zgjedhjes së tij nga delegacioni i përbashkët i AfD-së në Parlamentin e BE-së, ai u përjashtua nga vetë kolegët e tij të partisë.
Megjithatë, duke qenë se Krah është një politikan me lidhje të mira, ka rezistencë të fortë ndaj këtyre vendimeve brenda partisë. Figura të shumta të njohura të AfD-së akuzojnë lidershipin e partisë për drejtim të dobët dhe kritikojnë se me Krah po ndëshkojnë një aktivist të suksesshëm parazgjedhor që fitoi kryesisht votat e të rinjve për partinë.
Eeksperti politik Benjamin Höhne nga Universiteti Teknik i Chemnitz argumenton, se përse AfD ende nuk mund të heqë dorë nga një lidership i dyfishtë: "Partia nuk është ende në fazën ku do të vendoste një person në krye, të cilit do t'i nënshtroheshin të gjithë anëtarët." shpjegon Höhne në një intervistë për DW. Sepse, siç thotë ai, krahu i partisë rreth ekstremistit të djathtë Björn Höcke dominon AfD-në. Por në krah të tyre ka edhe anëtarë nacional-konservatorë dhe nacional-liberalë. "Mungon gjithashtu një figurë udhëheqëse," thotë ai.
Konflikte të hapura të mundshme në kongresin e Essen
Mosmarrëveshjet në kongres nuk mund të përjashtohen, thotë politologu Benjamin Höhne: "Partia ka një shkallë të lartë të demokracisë së brendshme. Kjo është arsyeja pse konfliktet e hapura janë më të mundshme." Për sa i përket përmbajtjes, ai ende llogarit me një kurs radikal të djathtë: "AfD do të mbajë një nivel të lartë radikalizmi, sepse deri tani ka qenë e suksesshme me të në zgjedhje. Me sinjalet e saj për të djathtën ekstreme, do të ketë sukses duke i lidhur pothuajse plotësisht kampet e krahut të djathtë me vetveten, veçanërisht në Gjermaninë Lindore”, thotë ai.
Prandaj, partia pranon me qetësi një tjetër proces penal kundër kryetarit të AfD në Thuringji Björn Höcke. Ai u akuzua përsëri për përdorimin e sloganeve të epokës naziste në një tubim gjatë fushatës zgjedhore.
Në procedurën e mëparshme ai ishte dënuar me gjobë prej 13 mijë eurosh – por aktgjykimi ende nuk është përfundimtar. Nëse dënohet sërish, ai mund të përballet me burg.
Një aleancë e gjerë e përbërë nga përfaqësues të kishave, sindikatave dhe shoqatave ka njoftuar kundërshtimin e saj ndaj kongresit të partisë AfD, që Enti gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës e sheh si një rast të dyshuar të ekstremizmit të krahut të djathtë. Kjo aleancë paralajmëron se kjo parti është një kërcënim racist, antisemit dhe antidemokratik për Gjermaninë.